BE: Liberalizimi i vizave me Shqipërinë, për në 2010
Projekt-raporti i presidencës franceze vlerëson se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet ende problem
Shqipëria merr një tjetër “shuplakë” nga Bashkimi Evropian në lidhje me ecurinë e zbatimit të detyrimeve që lindin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, çka pritet të shtyjë edhe më tej procesin e liberalizimit të plotë të regjimit të vizave. Kritikat vijnë, kësaj radhe, nga projekt-raporti që presidenca franceze e Bashkimit Evropian pritet të publikojë javën e ardhshme, në lidhje me ecurinë e plotësimit të kushteve nga vendet që aspirojnë që shtetasit e tyre të lëvizin pa viza në vendet e këtij komuniteti. Mediat në Bruksel shprehen se dialogu aktual për liberalizimin e vizave është vonuar me katër muaj dhe pritet të vonohet edhe më shumë, me qëllimin për ta shtyrë këtë proces për vitin 2010. Përpara se të arrihet të konkludohet ky proces, Shqipëria duhet të përmbushë 41 masa dhe të japë sqarime për 74 pyetje që drejtohen nga Bashkimi Evropian për dialogun e liberalizimit të vizave. Sipas projekt-raportit konfidencial, presidenca franceze, në katër kapitujt evidenton që në fillim se, në shumë fusha, “raporti i gatishmërisë së palës shqiptare i disa kohëve më parë, nuk pasqyron një panoramë të plotë të situatës në vend”. Duke marrë në analizë secilën prej fushave kyçe që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në këtë proces, ky dokument, ashtu si edhe progres-raporti i Komisionit Evropian, vlerëson se Shqipërisë i mbetet shumë për të bërë në aspektin e garantimit të rendit publik dhe sidomos në zbatimin e strategjive që synojnë parandalimin dhe luftimin e fenomenit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Kapacitetet hetimore në polici dhe Prokurorinë e Përgjithshme janë të dobëta. Njësitë e policisë antitrafik kanë trajnim të varfër, influencohen nga korrupsioni dhe zëvendësimet e shpeshta,"theksohet më tej, duke shtuar se me gjithë angazhimin e Shqipërisë, trafiku i drogës mbetet shqetësim serioz, ndërsa për luftën kundër korrupsionit, mungesa e kapaciteteve institucionale për të zbatuar strategjinë, mbeten pika të dobëta të sistemit shqiptar”, - thuhet në këtë raport. Një vend të veçantë në këtë dokument, zë emigrimi i paligjshëm dhe zbatimi i marrëveshjeve të ripranimit, për të cilën evidentohen disa progrese, kryesisht në menaxhimin e kufijve dhe ligjin për azilin. Megjithatë, edhe në këtë fushë, ky raport vlerëson se mungon një paraqitje e plotë e situatës. Ndërsa për sa i përket sigurisë së dokumenteve, ky dokument pranon faktin se Shqipëria ka bërë disa progrese, por duke kërkuar që të vijojnë më tej përpjekje për prodhimin e pasaportave biometrike dhe trajnimin e zyrtarëve që do të punojnë në këtë proces. Gjithashtu, në të theksohet fakti se Shqipëria nuk ka ende të dhëna të sakta për dokumentet e identifikimit të tipit pasaportë, që kanë humbur dhe që nuk janë gjetur. “Nevojitet raportim sistematik për humbjen dhe vjedhjen e dokumenteve të udhëtimit pranë Interpolit. Nga 57 mijë pasaporta të humbura nga viti 2004, vetëm 16 raste janë raportuar, ndërsa vetëm 2.297 janë kapur dhe deklaruar të pavlefshme”, - thuhet në këtë raport. Kapitulli i katërt dhe i fundit, i kushtohet marrëdhënieve me jashtë dhe të drejtave themelore. Në këto fusha, Shqipëria, në përgjithësi, vlerësohet me nota pozitive, por duke u kritikuar vetëm në drejtim të respektimit të të drejtave të komunitetit rom.