E Diel, 1 Nëntor 2026

Për fqinjin, të panjohurin dhe hartën kulturore të Prishtinës

Shumëllojshmëria kulturore e Kosovës prezantohet në dhe për Qytetin e Prishtinës përmes “Hartës Kulturore të Prishtinës” të shkrimtarëve Gernot Wolfram (Gjermani) dhe Beqë Cufaj (Kosovë). Është ky një shikim paksa tjetër i kryeqytetit të Kosovës.

“Harta Kulturore e Prishtinës” është një Projekt i realizuar nga Iniciativa Europiane e Kosovës në kuadër të Bibliotekës Europiane dhe është përkrahur nga Fondacioni gjerman “Robert Bosch”, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe një varg institucionesh dhe organizatash tjera vendore. Paraqitja e “Hartës” do të bëhet nesër në orën 11:00 në hapësirat e Bibliotekës Europiane të Kosovës në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës (BKUK). Të pranishëm do të jenë autorët e Hartës si dhe përkrahësit dhe mbështetësit e këtij projekti.

Harta Kulturore e Kosovës është botuar në katër gjuhë: shqip, serbisht, anglisht dhe gjermanisht në një tirazh prej 3000 ekzemplarësh.

Sërish në kujdesin e Bibliotekës Europiane të Kosovës prezantohet më 25 nëntor Antologjia nga Evropa Juglindore “Ata që janë ndryshe dhe që i kemi pranë” (Shtëpia Botuese Toena). Takimi bëhet në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

“Ata që janë ndryshe dhe që i kemi pranë” botuar së pari në gjermanisht dhe më pas edhe vende të ndryshme të Europës (Hungari, Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Maqedoni, Bullgari, Shqipëri etj.) mbledh zërat e autorëve të Europës Juglindore me ese dhe tregime, analiza dhe vështrime për “atë” që e kemi pranë- fqinjin dhe të (pa)njohurin.

Në këtë prezantim do të paraqiten botuesi i Antologjisë, publicisti dhe shkrimtari suedez Richard Swartz, autorja kroate Slavenka Drakuliq, autori serb Vladimir Arsenijeviq dhe autori kosovar Beqë Cufaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›