Agolli: Një akt që dëmton hyrjen në BE
Gjashtë shtëpi botuese nga Shqipëria, që do të merrnin pjesë në Panairin IX të Librit në Tetovë, i çelur mbrëmjen e 7 tetorit, janë bllokuar në doganën maqedonase në Qafë-Thanë. Një pjesë e tyre, pas pritjes me orë të gjata, ka mundur të kalojë vetëm dje, ndërsa disa edhe janë kthyer mbrapsht. "Ne edhe këtë vit kemi praninë e botuesve nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët si edhe vitet tjera kanë probleme me lëvizjen e lirë, por kjo që ndodhi sivjet ishte kulmi i problemeve", është shprehur Ramadan Ramadani, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në Maqedoni. Sipas tij, vonesa e botuesve shqiptarë për arsye procedurash doganore do t‘i shkaktojë dëme financiare këtij aktiviteti. Sipas tij, vonesa të tilla nuk justifikohen, për arsye se Shoqata e Botuesve kishte vënë në dijeni që më parë strukturat doganore për kalimin e librave në kufi. "Ende nuk e di arsyen se pse ndalohen shkrimtarët shqiptarë dhe jo ata maqedonas në kufi. Ne jemi dy vende me qytetari të ndjeshme dhe ende sot jam e tronditur pse nuk janë në panair shkrimtarët shqiptarë. Unë kam qëndruar në kufi 8 orë", shprehet shkrimtarja Violeta Allmuça. Edhe shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, ka reaguar ndaj këtij incidenti, duke e quajtur këtë si një shuplakë ndaj marrëdhënieve të dy vendeve që kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Europian. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Maqedonisë, Vanço Kargov, ka thënë se bëhet fjalë vetëm për respektim të procedurës doganore.