Herta Müller fiton "Nobel"-in për letërsinë
Çmimi "Nobel" për letërsinë i është dorëzuar dje shkrimtares gjermane, me origjinë rumune, Herta Müller. E lindur më 17 gusht të vitit 1953, në Nitchidorf, Rumani, bijë fshatarësh e minorancës gjermane, shkrimtarja, poeteshë dhe eseiste është e njohur për lexuesin, sidomos për përshkrimin e jetës nën regjimin komunist të Çausheskut. Në vitin 1987 u arratis nga Rumania së bashku me të shoqin, pasi pushohet nga puna si përkthyese e gjuhës gjermane në vitin 1979, sepse refuzoi të bashkëpunonte me Securitate, policinë sekrete të regjimit. Pasi humbet punën, për të fituar ndonjë para më shumë ajo punoi si edukatore kopshti dhe jepte mësime private të gjuhës gjermane. Libri i saj i parë i shtypur në Rumani ("Niederungen"), por i shkruar në gjuhën gjermane, u shfaq vetëm në një version të censuruar në vitin 1982. Kur më në fund arriti të merrte prej policisë sekrete dosjen me 914 faqe që i përkiste pikërisht asaj, Herta Müller, zbuloi se e cilësonin si "një armike të rrezikshme për shtetin". Emri i saj në kod nuk ishte më Herta, por "Cristina", e cila sipas tyre "shtrembëronte enkas realitetin e vendit". Aktualisht Herta Müller jeton në Berlin dhe që nga viti 1995 është anëtare e Akademisë Gjermane të Letërsisë. Në motivimin e Akademisë së Stokholmit, shkruhet se çmimi i shkon Müller-it sepse "me përqendrimin e poezisë së saj dhe me sinqeritetin e prozës ajo ka ditur të përshkruajë peizazhin e të përndjekurve". Herta Müller është një autore shumë e njohur në Gkerani dhe në të gjithë Europën, ku para çmimit "Nobel" është nderuar dhe me një sërë çmimesh të tjera. Në veprat e saj, Herta Müller ka përfaqësuar aspektet më të ashpra të ambientit të saj: varfërinë dhe prapambetjen kulturore të pakicës gjermane dhe të situatës politiko-sociale të Rumanisë, duke iu referuar në mënyrë të veçantë kushteve të dëshpëruara në të cilën gjendeshin femrat që detyroheshin të duronin jo vetëm shantazhin politik, por edhe atë seksual, i cili praktikohej shpesh brenda fabrikave, ndërsa ka folur edhe mbi revoltat që rrëzuan regjimin e Çausheskut, apo për çorientimin teksa provoi emigracionin në Gjermani.