Gjyqtari Adrian Rama: Në Librazhd rrezikoja jetën nëse mbyllja takimin
Pa kaluar 24 orë nga skandali në derbin e Kategorisë I, ndërmjet Sopotit dhe Elbasanit, gjyqtari Adrian Rama ka treguar të gjitha detajet e ngjarjes. Ai u rrëfye për zyrtarët përgjegjës për mbarëvajtjen e kampionatit, vetëm pak orë përpara se Komisioni i Disiplinës të merrte masat ndëshkimore. Në dëshminë e tij, e cila ka shërbyer si dokumenti kryesor për dënimin e skuadrës nga Librazhdi, "bilbili" konfirmoi se është kërcënuar me jetë. Ai gjithashtu tregoi edhe plagët e marra në trup, si pasojë e dhunës së ushtruar nga ish-kapiteni i Sopotit, Shkëlqim Hajdari. "Është e vërtetë që deri në minutën e 75 në fushë kishte probleme. Në këtë moment nxora kartonin e kuq për Hajdarin, i cili filloi të më godiste me shkelma dhe grushte. Policia ndërhyri dhe ndeshja u ndërpre", tregoi gjyqtari. "Atmosfera e krijuar ishte shumë e rëndë dhe ndiheshim në presion mjaft të madh. Përveç tifozëve që ishin gati të shpërthenin filluan edhe presione në dhomat e zhveshjes. Së bashku me asistentët e mi u komunikuam skuadrave se takimi do të përfundonte vetëm për publikun e pranishëm, por më kërcënuan me jetë nëse do të veproja në këtë mënyrë. Madje, persona pranë klubit të futbollit në Librazhd dhe lojtarë të kësaj skuadre e kanë kërcënuar se do t‘i vrisnin familjen, nëse takimi nuk mbylljen si një 90-minutësh normal". Arbitri Rama tregoi edhe se si portieri i Elbasanit, Bërdufi, e ka futur vetë topin në rrjetë në golin e dytë të vendasve. Ky veprim erdhi për shkak se gjatë gjithë ndeshjes ai ishte goditur me gurë nga tifozeria vendase. "Edhe pse ‘ngriti humorin‘ e mbështetësve të Sopotit në stadium dhe u shoqërua me të qeshura e gëzim për avantazhin, kjo nuk i ndaloi gurët dhe sendet e forta. Hedhja e tyre në drejtim të portierit të Elbasanit vazhdoi deri në mbylljen e parakohshme të ndeshjes", përfundoi "bilbili".
Ndërkohë, pas dhunës në ndeshjen Sopoti-Elbasani, Federata e Futbollit doli me një deklaratë për shtyp. "FSHF-ja është tejet e shqetësuar për dhunën e shfaqur në Kategorinë e Parë dhe kërkon të tërheqë vëmendjen e klubeve, futbollistëve, trajnerëve dhe gjithë opinionit futbolldashës në Shqipëri, për këtë ngjarje të rëndë. Federata i dënon këto akte, të cilat s‘kanë asgjë të përbashkët me lojën e futbollit dhe imazhin e saj. Ajo konfirmon se çdo shfaqje dhune, intolerance dhe mungese respekti ndaj kundërshtarëve, gjyqtarëve, tifozerive apo institucionit të futbollit, nuk do të tolerohet", citohej aty.
e. kodheli