Agolli: “Pas shtyllës në Hungari, dua golin në Maltë”
Ansi Agolli, mesfushori këmbëmajtë i Tiranës, beson se Kombëtarja A do të kthehet me fitore nga Malta, çka do t’i jepte Shqipërisë edhe njëherë tjetër vendin e parë në grup, duke qenë se kundërshtarët e tjerë të vendit tonë nuk luajnë më 11 shkurt.
Lojtari i huazuar te Tirana nga skuadra finlandeze, Vaas, ruajti të njëjtat tone të kujdesshme në deklarimet para ndeshjes, duke qenë në një linjë me deklarimet e trajnerit Ari Han, por dhe të shokëve të tij. “Duke parë dhe ndeshjen e parë në Tiranë, të fituar nga ne (3-0), sigurisht që janë më poshtë se ne, por duhet pasur kujdes. Në takimin e parë na vunë në disa herë në vështirësi derisa u bë goli i parë (Bogdani shënoi në minutën e 45-të), ndërsa më pas ishte më e lehtë”. 26-vjeçari Agolli (7 ndeshje me Kombëtaren) shpreson se mund të jetë titullar në ndeshjen kundër Maltës. “Por, - shton ish-lojtari i Nojshatëll Ksmaks në Zvicër, - këtë e vendos trajneri Han”. Në ndeshjen e fundit të kampionatit shqiptar shënoi një gol të bukur direkt nga goditja e lirë në fitoren 2-0 të Tiranës kundër Shkumbinit, që ishte dhe goli i tij i dytë sezonal me bardheblutë. “Një gol kundër Maltës? Do të ishte shumë bukur. Por, për mua le të shënojë kush të dojë, vetëm të na japë fitoren. Ende e kujtoj atë shtyllën kundër Hungarisë në Budapest (humbëm 2-0). Është pengu im me Kombëtaren”. Maltezët janë mbrehur për të marrë rezultat me Shqipërinë, ku si alternativë kanë dhe fitoren. “E di fare mirë këtë, - thotë Ansi, - pasi një shok imi finlandez tani jeton në Maltë dhe më informon së fundi shumë shpesh për atë që shkruhet në mediat malteze dhe opinionin që ekziston në Maltë. Normalisht nuk kanë çfarë të humbin”.
Dëmtohet Bogdani, humbet derbin me Xhemailin
Ndeshja për mbijetesë e Serisë A, Torino-Kievo, mund të ishte edhe derbi i Blerim Xhemaili-Erjon Bogdani, por sulmuesi i Kombëtares shqiptare, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë shqiptar kundër Maltës (3 gola, nga 12 të shënuar në total nga Shqipëria), do të mungojë kundër skuadrës torineze. Lajmi është bërë i ditur nga mediat italiane. Bogdani pësoi një dëmtim në kokë gjatë stërvitjes së kësaj jave, teksa stafit mjekësor iu desh ta qepte tetë herë plagën.
Drejt Maltës
“Pjesa shqiptare” e Kombëtares nën drejtimin e trajnerit Ari Han dhe ndihmësit të tij, Vim Surbier, do të fluturojnë të dielën nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit në drejtim të Maltës. Në ndalesën e Romës do të bashkohen dhe kuqezinjtë “legjionarë”, dhe të gjithë bashkë do të zbresin në ishullin e Maltës. Mungesa të rëndësishme do të ketë edhe Shqipëria në këtë ndeshje. Mesfushorët shkatërrues, Altin Lala dhe Lorik Cana nuk do të jenë në dispozicion të Ari Hanit për sfidën e radhës për shkak të dëmtimeve.
9 Shkurt 2009