INSTAT: “Çmimet e konsumit janë rritur, inflacioni shënon 0.4 për qind”
Shtrenjtimi i çmimeve të artikujve ushqimorë ka shkaktuar rritjen e kostos së jetesës në vend. Në krahasim me një vit më parë, indeksi i çmimeve të konsumit për muajin janar arriti 102,6 për qind, duke pësuar një rritje me 0.4 për qind krahasuar me një muaj më parë. Instituti i Statistikave njoftoi dje se gjatë muajit janar inflacioni arriti në 2.1 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.4 për qind kundrejt muajit të kaluar (dhjetor 2008). Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, inflacioni rezulton 0.9 për qind më i ulët. Në ecurinë e këtij treguesi ka ndikuar kryesisht indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili ka shënuar një rritje prej 1.5 për qind. Rritjen më të madhe të çmimeve e ka pësuar grupi i zarzavateve, përfshirë patatet me 13.7 për qind, ndërkohë që edhe grupe të tjera si ai i "frutave", "mishit", "peshkut" etj. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.7 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rritën me 1.1 për qind dhe çmimi i duhanit u rrit me 0.4 për qind. Edhe indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 1.1 për qind, kjo si rezultat i rritjes së çmimeve të shërbimeve mjekësore, paramjekësore e dentare me 2.7 për qind. Ndërsa grupi “Transport” rezulton me një rënie në masën 1.8 për qind. Kjo për shkak të uljes së çmimit të naftës me 8.9 për qind dhe benzinës me 6.4 për qind. Rënie ka pësuar edhe indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” për shkak të skontove të sezonit.
10 Shkurt 2009