E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajisja me karta,KSHH reagon për vonesat

Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagon ndaj procesit të pajisjes me letërnjoftimet e reja, duke kritikuar vonesat burokratike dhe kërkon ndërhyrje urgjente. Sipas një deklarate të publikuar sot për mediat, KSHH konsideron shqetësues jo thjeshtë prodhimin në kohë të kartave të identitetit, por sidomos procesin e shpërndarjes së tyre dhe njoftimin e shtetasve që nuk disponojnë pashaporta, kur dihet se rreth 730 mijë shtetas duhet të paisen me këto karta. KSHH propozon publikimin e emrave të personave që duhet të pajisen me karta identiteti, në çdo bashki dhe komunë, afatet e fillimit dhe të mbarimit të këtij procesi, njoftimin individual të çdo shtetasi që nuk disponon pasaportë, që duhet të jetë i shpejtë, i kontrollueshëm dhe i dokumentuar, mundësinë e pajisjes me këto dokumente të votuesve romë dhe egjyptianë dhe shtetasve që jetojnë me asistencë sociale, ose nën minimumin jetik, lehtësi në pajisjen e shtetasve me aftësi të kufizuar dhe personave të sëmurë, etj. Për KSHH-në është i rëndësishëm sensibilizimi i vazhdueshëm i shtetasve se në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, do të votohet vetëm me pasaporta të vlefshme ose me karta identiteti dhe jo me letërnjoftim të viteve të kaluara. Këto propozime, sipas KSHH-së, merren nisur nga koha relativisht e shkurtër deri ditën e zgjedhjeve parlamentare, më 28 qershor 2009, numrin e madh të shtetasve pa pasaportë në bashki dhe komuna të ndryshme, si dhe nga domosdoshmëria për sensibilizimin e publikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›