E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizohen 5637 parcela informale

 

ADI SHKEMBI

Qeveria i hap rrugë zyrtarisht legalizimit të 5637 parcelave informale (një hapësirë prej 209 ha) në 9 qarqe të vendit. Gazeta zbardh të plotë projektvendimin e hartuar nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, që është miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë. Sipas këtij drafti propozohet kalimi në pronësi të pronarëve të objekteve informale sipërfaqet e ndërtuara në shumicën e zonave ekstralegale në të gjithë vendin. “Me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në pronësi të poseduesve të objekteve informale, të sipërfaqeve të parcelave ndërtimore të zëna sipas listës dhe planvendosjes përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të zonave/ndërtimeve informale dhe drejtoritë e saj në qarqe për nënshkrimin e kontratave të shitblerjes”, thuhet në projektvendimin e miratuar. Sipas renditjes, Qarku i Tiranës ka edhe numrin më të madh të parcelave ndërtimore, që do t’i kalojnë pronarëve të rinj të tokës. Kryeqyteti ka 2394 parcela ose gati 42 për qind të numrit të përgjithshëm të zonave informale që do kenë pronarë të rinj. Pas Tiranës, vjen Qarku i Vlorës, i cili ka 1382 parcela ndërtimore dhe ai i Durrësit me 1232 parcela ndërtimore. Në fund është Qarku i Kukësit me vetëm 10 parcela ndërtimore. Sipas relacionit të këtij projektvendimi “për 5637 objektet informale, për të cilat kërkohet kalimi i pronësisë së truallit, janë kryer nga ALUIZNI, procedurat e përditësimit në terren dhe kualifikimit për legalizimin, në përputhje me kriteret ligjore. Këto objekte rezultojnë se janë ngritur pjesërisht në troje pronë shtetërore, sipas të dhënave të regjistrimit, në regjistrin e pasurive të paluajtshme pranë ZVRPP-ve përkatëse dhe pjesërisht në territore të pa përfshira në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka sugjeruar në komentet e saj për projektvendimin, që të autorizohet ALUIZNI për kryerjen e procedurave si dhe të përcaktohen kriteret, që do të ketë parasysh kjo agjenci gjatë gjithë këtij procesi. “Sugjerojmë hartimin nga ana juaj të një projektvendimi të veçantë me karakter normativ, ku të autorizohet në mënyrë të përgjithshme ALUIZNI, për të kryer procedurat për kalimin e pronësisë së parcelave ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje. Gjithashtu, sugjerojmë që në përmbajtjen e këtij projektvendimi të veçantë që do të hartohet nga ana juaj të përcaktohen kushtet dhe kriteret, që duhet të mbajë parasysh ALUIZNI gjatë kryerjes së procedurave për kalimin e pronësisë së parcelave ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje”, thekson në letrën që mban datën 03.11.2008 ministri Alibeaj. Por Ministria e Punëve Publike e ka konsideruar këtë sugjerim si të panevojshëm. “Lidhur me këtë sugjerim, mendojmë se hartimi një projektvendimi të tillë, do të ishte i panevojshëm, duke qenë se kushtet dhe kriteret që duhet të mbahen parasysh, gjatë procedurave të kalimit të pronësisë, nga ALUIZNI, janë të përcaktuara në dispozitat përkatëse të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 ‘për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, të ndryshuar”, thuhet në relacionin e Ministrisë së Punëve Publike.

Parcelat ndërtimore

Qarku Tiranë
Në Qarkun Tiranë janë 2394 parcela ndërtimore, që i përkasin objekteve informale me sipërfaqe 1.001.984.82 m2 dhe që ndodhen në zonën kadastrale nr. 8200, 8310 Breglumas, nr. 2884 Paskuqan dhe nr, 3992 Bathore. Për zonën kadastrale nr. 3992 Bathore (12 blloqe kadastrale) me 1798 parcela objektesh informale, në ZRPP të Tiranës rezulton, se statusi juridik i parcelave është pronë shtetërore. Në zonën kadastrale nr. 8310 Breglumas, me 395 parcela informate ZRPP e Tiranës konfirmon se territori i saj nuk është përfshirë ende në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Parcela e 210 objekteve informale në zonën kadastrale nr. 2884, Paskuqan, janë pronë shtetërore, në përputhje me të dhënat e regjistrimit të ZRPP Tiranë.
Qarku Vlorë
Parashikohet kalimi i pronësisë te poseduesit e ndërtimit informal për 1382 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme 439.515.2 m2. Parcelat ndërtimore ndodhen në zonat kadastrale nr. 8601, 8602, 8604 dhe 8605, të Bashkisë së Vlorës, si dhe nr. 8642 Berdenesh të Bashkisë Sarandë dhe nr. 1060 të Bashkisë Orikum. Për zonat kadastrale nr. 8601, 8602, 8604, 8605 të Bashkisë Vlorë nga regjistrat e ZRPP, rezulton se statusi juridik i tokës është pronë shtetërore. ZRPP Vlorë konfirmon zyrtarisht se zona kadastrale nr. 8642 Berdenesh në Bashkinë Sarandë dhe nr. 1060 në Bashkinë e Orikumit, nuk janë përfshirë në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Qarku Shkodër
Parashikohet kalimi i pronësisë për 240 parcela ndërtimore te poseduesit e objekteve informale me sipërfaqe të përgjithshme 92888.97 m2, në Qarkun e Shkodrës. Objektet informale ndodhen në zonën kadastrale nr. 8591, Bashkia Shkodër. Blloqet kadastrale nr. 1 dhe nr 17, të kësaj zone kadastrale, në të cilat ndodhen objektet informale, nuk rezultojnë të përfshira në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas konfirmimit zyrtar të ZRPP Shkodër.
Qarku Elbasan
Në Qarkun e Elbasanit është parashikuar kalimi i pronësisë për 88 parcela të objekteve informale me sipërfaqe 19.391.9 m2. Ato ndodhen në zonën kadastrale nr. 8512 (blloqet nr.7, nr.12, nr.13 dhe nr.16) të Bashkisë Elbasan. Për këtë zonë kadastrale statusi juridik i parcelave ndërtimore nuk përcaktohet, pasi kjo zonë nuk është përfshirë në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Qarku Berat
Përcaktohet kalimi i pronësisë mbi truallin e objektit informal për 62 parcela ndërtimore, në Qarkun e Beratit, të cilat kanë sipërfaqe të përgjithshme 6554 m2. Objektet informale ngrihen në territorin e zonës kadastrale nr. 8502 të Bashkisë Berat dhe sipas konfirmimit zyrtar të ZRPP të Beratit, territori i kësaj zone nuk është përfshirë në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Qarku Durrës
Projektvendimi parashikon kalimin e pronësisë te poseduesit e ndërtimeve informale për 1232 parcela ndërtimore me sipërfaqe të përgjithshme 434.848.1 m2. Objektet informale ndodhen në zonën kadastrale nr. 8513 (blloku kadastral nr. 8, 9, 10, 11 dhe 13) dhe nr. 8511 (blloku kadastral nr. 15, 16, 17, 18 dhe 19) të Bashkisë Durrës. Këto dy zona kadastrale janë të përfshira në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nga ZRPP Durrës dhe statusi juridik i parcelave ndërtimore të objekteve informale rezulton të jetë pronë shtetërore.
Qarku Fier
Projektvendimi parashikon kalimin e pronësisë mbi truallin e objektit informal për 40 objekte, me sipërfaqe të përgjithshme 11.499.3 m2, të ndodhura në zonën kadastrale nr. 8532, Bishanake, të Bashkisë Fier. Kjo zonë nuk rezulton e përfshirë në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas konfirmimit zyrtar të ZRPP Fier.
Qarku Lezhë
Në qarkun e Lezhës, parashikohet kalimi i pronësisë te poseduesit e ndërtimeve informale për 189 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme 86.627 m2, të cilat ndodhen në zonën kadastrale 8632 (blloku kadastral nr. 1, 2, 3, Kodër Malekaj) të Bashkisë Lezhë. Statusi juridik i tokës në këtë zonë kadastrale, është pronë e shtetit, sipas konfirmimit zyrtar të ZRPP Lezhë.
Qarku Kukës
Për qarkun e Kukësit, projektvendimi përcakton kalimin e pronësisë te poseduesit e objekteve informale për 10 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme 4.710.13 m2. Këto objekte informale ndodhen në zonat kadastrale nr. 2315, 1543, 1819 të Bashkisë Kukës. Statusi juridik i parcelave ndërtimore nuk mund të përcaktohet, pasi këto zona kadastrale nuk janë të përfshira në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas konfirmimit zyrtar të ZRPP-së, Kukës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›