Hodhën bombolën e gazit për të trembur gjimnazisten, ndalohen 2 ish-nxënësit
SHIJAK – Donin të bllokonin procesin mësimor, me këtë rast të ngacmonin një nxënëse dhe kanë shpërthyer një bombol gazi në mes të klasës, duke shkaktuar panik, por më në fund janë ndaluar nga policia. Burimet zyrtare në rajonin e Shijakut bëjnë të ditur se ata janë ish-nxënësit Renato Reçi dhe Eno Xhija, të cilët kanë shpërthyer një bombol me gaz neuroparalizues në një klasë të shkollës “16-shtatori“. Kjo ka shkaktuar për pak minuta panik dhe braktisje të procesit mësimor nga nxënësit dhe mësuesja. Ata kanë spërkatur klasën e shkollës, ku brenda ndodhej një nxënëse, e cila ishte vënë në shënjestër të ngacmimeve nga dy adoleshentët. Dy autorët janë Renato Reçi dhe Eno Xhija, gjimnazistë të përjashtuar nga kjo shkollë kohë më parë. Era e keqe e gazit ka detyruar mësuesit të ndërpresin mësimin. Më pas ka ndërhyrë policia, duke ndaluar dy adoleshentët. Djemtë akuzohen për prishje të qetësisë publike dhe ndotje të ambientit.
29 Shkurt 2008