E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombinat; Rama kërkon buxhet për ndërtimin e shkollës së përfunduar një vit më parë

Janë rrugë, shkolla dhe projekte që gjatë këtij viti mjafton të kemi parë vetëm një herë median vizive dhe lexuar median e shkruar dhe do të kishim mësuar se në këto projekte janë përfunduar punimet.

Ndërkohë që për kryebashkiakun Rama, projektet në fjalë janë përfshirë në zërin e shpenzimeve të buxhetit 2009. Kështu vetëm në zonën e Kombinatit janë 6 projekte që do të rimerren për të kryer punime, shpenzimet e të cilave përfshihen në buxhetin që pritet të miratohet në fund të dhjetorit.

Përfaqësuesja e kësaj zone, Monika Kryemadhi, dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak pas një investigimi të kryer, ka paraqitur me foto projektet para se të kryheshin punime, si dhe ditën në të cilën Rama i ka përuruar, gjithashtu ka treguar disa pasazhe nga buxheti i vitit të ardhshëm duke thënë se në të përfshihen edhe shpenzimet që do të kryhen për të punuar sërish këto rrugë.

Projektet

Rrugë dhe shkolla të cilat gjatë këtij viti janë rindërtuar trumbetueshëm nga kryetari i baskisë, Edi Rama, janë pjesë e shpenzimeve që përfshihen të kryhen edhe në buxhetin e 2009-ës. Ndonëse janë investime të kryera një pjesë prej tyre, ndërsa pjesa tjetër ishin premtuar për t’u kryer për 2008-ën, por kanë mbetur përgjysmë, do të rimerren edhe vitin e ardhshëm.

Kështu, vetëm në njësinë 6, që përfshin zonën e Kombinatit dhe kryetare e kësaj minibashkie është znj. Luzhiana Abazi, janë 6 projekte, prej të cilave tre kanë përfunduar këtë vit dhe tre janë ende të papërfunduara që do të rimerren edhe në 2009-ën.

Në fillim të këtij viti, “Musine Kokalari”, shkollë 9-vjeçare në Kombinat, është rindërtuar nga Edi Rama me një kosto prej 960 mijë eurosh. Një shkollë që ka përfunduar së ndërtuari gjatë këtij viti është përfshirë edhe në investimet e 2009-ës.

Rindërtimet

Gjithashtu, kopshti 27, si dhe rruga “Hamdi Sinoimeri” përfshihen në rikonstruksionet që do të kryhen në 2009-ën ndonëse punimet kanë përfunduar këtë vit. “Llazi Mio”, rrugë totalisht e përfunduar, parashikohet të punohet edhe për 2009-ën.

Në fillimvitin e ri shkollor, këtë vit Rama zgjodhi për të inauguruar shkollën në Yzberisht. E përfunduar totalisht dhe pa asnjë nevojë për të kryer ndërhyrje apo punime është përfshirë gjithashtu në investimet dhe rikonstruksionet që duhen kryer në zërin e buxhetit të vitit të ardhëm nga Bashkia e Tiranës. Në rrugën “Hamdi Pepa” është hedhur asfalt mbi baltë pa kryer kanalizimet e nevojshme.

QSUT: Mjekët detyrohen t’i rikthehen punës

Në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë gjatë ditës së djeshme janë detyruar t’i kthehen normalisht punës në të gjitha shërbimet. Kjo u konfirmua nga Drejtoria Spitalore e QSUT-së.

"Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", konfirmon se në secilin prej shërbimeve dita e sotme ka qenë dhe vazhdon të jetë një ditë pune normale, ku i gjithë personeli ka qenë prezent", - tha zëdhënësi i QSUT-së, Alvi Bajramaj.

Sipas tij, ky fakt është konfirmuar nga të gjithë shefat e shërbimeve të QSUT-së, të cilët ditën e sotme e kanë pasur një ditë të zakonshme pune, me konsulta, shtrime dhe operacione.

Ndërkohë, Drejtoria e QSUT-së siguron të gjithë pacientët dhe të afërmit e tyre se puna në qendrën më të madhe spitalore të vendit vazhdon normalisht, ku kujdesi dhe shërbimi ndaj pacientit janë në nivelet e duhura.

Të porsalindurve

Pako mirëseardhjeje çdo fëmije që lind në Shqipëri

Dhurata për të porsalindurit dhe materiale informuese për nënat e reja. Në prag të festave të fundvitit, të gjitha nënave të reja dhe fëmijëve të porsalindur në të gjithë Shqipërinë do t’u dhurohet "Pakoja e mirëseardhjes". Kjo pako mundësohet nga organizata "Zero Pozitive Publicis". Memorandumi për nisjen e këtij projekti bashkëpunimi në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës u nënshkrua dje në mjediset e Ministrisë së Shëndetësisë.

"Një nga dispozitat e projektit është që të mos ketë kufi kohor, të jetë pothuajse çdo muaj, me ofrimin e rreth 2500-3000 pakove në çdo pikë të Shqipërisë, ku lindin foshnje", - tha ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, sipas së cilës, bazuar në të dhënat, lindjet në vend janë rreth 35 mijë-40 mijë në vit dhe çdo fëmijë që lind do të mirëpritet.

"Në “Pakon e mirëseardhjes” gjenden jo vetëm gjëra konkrete që do i shërbejnë nënës së re, por dhe një informacion më i mirë për mirërritjen konform rregullave, që sektorët tanë të nënës dhe fëmijës parashtrojnë për mirërritjen e fëmijës", - tha ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo.

Sipas saj, "pakoja ka gjithçka që i nevojitet një fëmije të porsalindur, që nga pelenat, kremra, shampo, etj. dhe mbi të gjitha, çdo pako do të ketë brenda dhe broshurat informative për nënën se si të ushqejë fëmijën, informacion mbi të gjithë sjelljen që një nënë duhet të bëjë ndaj fëmijës së saj, në përputhje me atë që promocioni i nënës dhe fëmijës ofron".

Sistemi i ri i përfitimit të qerasë sociale

Shtimi i rasteve të të pastrehëve në kryeqytet ka shtrënguar dorën e Bashkisë së Tiranës për kriteret se si mund të përfitohet një banesë. Vetëm në Tiranë numri i familjeve të pastreha që kanë aplikuar për strehim deri në nëntor të këtij viti shkon deri në 4004. Nga të dhënat rezulton se numri i familjeve aplikuese nga 2007-a është dyfishuar. Për këtë, dje, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, është rimarrë në shqyrtim projektvendimi për kriteret e strehimit të të pastrehëve të Tiranës. Për këtë është miratuar sistemi i pikëzimit për bonusin e strehimit dhe sistemi i pikëzimit për subvencionimin e familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuar. Nga vendimi i djeshëm i jepet prioritet më të madh familjeve që kanë më shumë pikë dhe që do të trajtohen me programet e pikëzimit. Me sistemin e ri që do të aplikohet stimulohen që të jenë përfitues kryesisht ata që nuk kanë përfituar si të prioritizuar në programe të tjera e që potencialisht plotësojnë nivelin e të ardhurave për të përballuar interesin e kredisë pranë bankave. Ndryshe nga më parë, këto familje përfituese, edhe mbasi shqyrtohen dhe miratohen nominalisht nga Këshilli Bashkiak (sipas kriterit të ardhurave etj.), përsëri duhet të plotësojnë edhe kushtet/kritere të kreditimit për aftësinë e tyre paguese etj. për të qenë përfitues të kredimarrjes. Ndërsa, në programin tjetër (atë të bonusit të qerasë), mbështetet më shumë me prioritet/përparësi për të përfituar prej tij ato familje të ardhurat e të cilave janë dhe më të ulëta e që nuk mund të përballojnë blerjen e një banese me kreditim (për momentin) e që kanë nevojë të mbështeten me bonus, pasi ende janë në kushtet për të përballuar banesën me qera dhe jo atë me blerje me kreditim.

Blerta Mrishaj

I Sistemi i pikëzimit për bonusin e strehimit

a. Individët të cilët gëzojnë statusin 15 pikë

–të verbrit e grupit të parë

invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë

invalidë të punës

invalidë të Luftës Nacionalçlirimtare

jetimët

veteranët e luftës

b. Familjet të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji nr. 7652 datë 23.12.1992 për “Privatizimin e banesave shtetërore”

-familjet që mbeten pa banesa, si pasojë e prishjes së tyre për interes publik 15 pikë

-familjet që mbeten pa banesë, si pasojë e lirimit të mjediseve me funksion publik 15 pikë

-familje që mbeten pa banesë si shkak i forcave madhore 15 pikë

-të tjera 5 pikë

c. Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë 10 pikë

d. Familjet me shumë fëmijë (mbi tre fëmijë) 10 pikë

e. Të moshuar që kanë moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për tu strehuar në institucionet publike të përkujdeset shoqëror 10 pikë

f. Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç 5 pikë

g. Familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi 5 pikë

II. Sistemi i pikëzimit për subvencionet e familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuar nga shteti

a. Familje që banojnë në shtëpi me ish-pronarë 20 pikë

b. Familje që kanë humbur shtëpitë në firmat piramidale 15 pikë

c. Familje që bëhen të pastreha (shembje banese informale, lirim objektesh me funksione publike) për shkak të zbatimit të projekteve publike e ndërtimit të veprave me interes publik 15 pikë

d. Çiftet e reja me moshë mesatare total deri në 55 vjeç 15 pikë

e. Individë me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdeset e deri në moshën 30 vjeç 10 pikë

f. Familjet me shumë fëmijë (me më shumë se 2 fëmijë) 10 pikë

g. Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë 10 pikë

h. Individë që gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, invalid paraplegjikë dhe tetraplegjikë, invalidë të punës, si dhe statusin e veteranëve të luftës

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›