Ratifikimi i NATO-s, Italia dhe Gjermania: Shqipëria, aleatja jonë
Italia dhe Gjermania, në të njëjtën ditë, kanë ratifikuar dje Protokollin e NATO-s me Shqipërinë, duke thënë një mesazh të fortë politik për vendet e tjera që nuk e kanë ratifikuar ende. Të dyja vendet evropiane kalojnë numrin e 17 të ratifikimeve të Protokollit të NATO-s, duke bërë kështu që të kalojë 50-përqindëshi i shteteve që duhet të ratifikojnë këtë protokoll. Duket se muaji dhjetor po kthehet në një muaj respekti për Shqipërinë, ku vetëm në dy javët e para, 6 shtete kanë ratifikuar protokollin hyrës. Kjo bën që shpresa për një anëtarësim në NATO të shihet si e realizueshme në pranverë të vitit që vjen. Italia dhe Gjermania, aktorë të rëndësishëm në Aleancë, duket se me ratifikimin e tyre kanë mbyllur çdo lloj dyshimi që i mund t’i vihej Shqipërisë në lidhje me hyrjen ose jo të saj në NATO. Diplomacia shqiptare duket se është shpërblyer në lobimin e saj për hyrjen me të drejta të plota në Aleancë. Axhenda e Kryeministrit Berisha, e shoqëruar nga pas me axhendën e kryeparlamentares Topalli dhe ministrit Basha, kanë marrë një pikë të rëndësishme në politikën e jashtme. Vizita e Kryeministrit Berisha në Gjermani dhe ardhja e Berluskonit në Tiranë, duket se kanë ndikuar drejtpërdrejt që protokolli të miratohej shpejt. Zyra pranë Kuvendit bëri të ditur dje se Italia u bë vendi i shtatëmbëdhjetë që ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ndërkohë që vetëm dy ditët e fundit katër parlamente të vendeve anëtare të NATO-s (Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Estonia, Italia) kanë dhënë miratimin dhe njëkohësisht vlerësimin për Shqipërinë, duke e konsideruar një vend që, falë progresit të bërë dhe vullnetit të treguar, meriton të jetë krah vendeve të Aleancës së Veriut. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me anë të një letre, i ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e tij personal, kryetarit të Dhomës së Deputetëve, Xhanfranko Fini, ndërsa ka falënderuar edhe në emër të Kuvendit të Shqipërisë miqtë italianë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë si në procesin e integrimit në BE, ashtu edhe në atë të anëtarësimit në NATO. Nga ana tjetër, ambasada gjermane, në një njoftim për media shprehej se “qeveria federale e Gjermanisë është e bindur se anëtarësimi në NATO i Shqipërisë do të japë një kontribut kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. NATO-ja është më shumë se një aleancë për mbrojtjen, ajo është edhe një bashkësi transatlantike e gjerë vlerash që mbështetet në parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe shtetit ligjor dhe që është angazhuar për nxitjen e paqes dhe stabilitetit”.