E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: “Transparencë për çdo projekt të Bashkisë, për 302 dosje”



Çdo akuzë e bërë nga kryeministri Sali Berisha, do të zbardhet nga Bashkia e Tiranës me transparencën më të madh që është bërë ndonjëherë. Kjo është përgjigjja e fundit që është dhënë nga Bashkia e Tiranës ndaj akuzave të bëra për abuzim në dhënien e lejeve të ndërtimit. Administratori i Përgjithshëm i kësaj Bashkie, Dritan Agolli deklaroi se akuzave të kryeministrit, ky institucion do t’i përgjigjet me projektin më të madh europian të transparencës. “Bashkia e Tiranës nuk është këtu sot për t’iu përgjigjur akuzave, as për tu mbrojtur dhe as për të dhënë prova e fakte nga 302 dosjet e së vërtetës. Bashkia e Tiranës është këtu për të lançuar projektin më të madh të transparencës që është parë ndonjëherë në hapësirën europiane. Projekti që do të zbardhë përditë, çdo orë, çdo dosje nga këto 302 dosje. Cdo emër e mbiemër pronarësh, çdo emër investitorësh, çdo centimetër tokë. Bashkia e Tiranës deklaron se nuk do të lodhet as nuk do të rresht në zbardhjen e çdo akuze. Në tretjen e çdo gënjeshtre, derisa asnjë fije balt e politikës së hedhur në këto 10 vjet të mos ngelet në fytyrën e saj.”- deklaroi Dritan Agolli.
Administratori i Përgjithshëm, bëri të ditur se nga viti 2005 deri në 2007, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, e kontrolluar në mënyrë absolute nga Qeveria dhe në të cilin Kryetari i Bashkisë nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të vetme, ka dhënë 184 leje ndërtimi. Sipas tij, nga viti 2007 e deri më sot, KRRT-ja ka miratuar 118 leje ndërtimi, thuajse në unanimitet të plotë. Kjo KRRT është e përbërë nga 9 anëtarë, ku 4 prej të cilëve janë emërime të qeverisë dhe i pesti i zgjedhur me konsensus midis të dyja forcave politike. Agolli theksoi se çdo akuzë e kryeministrit e ka një përgjigje faktike dhe të vërtetë nga Bashkia e Tiranës, për të vërtetuar se nuk ka asnjë abuzim në dëm të saj. Sipas tij, çdo centimetër tokë është e dokumentuar dhe është dhënë në transparencë nga anëtarët e KRRT-së së Bashkisë së Tiranës. “Bashkia e Tiranës informon si fillim opinionin publik, se nga viti 2005 deri ne 2007, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, e kontrolluar në mënyrë absolute nga Qeveria dhe në të cilin Kryetari i Bashkisë nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të vetme, ka dhënë 184 leje ndërtimi. Nga viti 2007 e deri më sot, KRRT e përbërë nga 9 anëtarë, ku 4 prej të cilëve janë emërime të qeverisë dhe i pesti i zgjedhur me konsensus midis të dyja forcave politike, ka miratuar 118 leje ndërtimi, thuajse në unanimitet të plotë”,- theksoi Agolli. Në këtë mënyrë, ai ka përgënjeshtruar akuzat e bëra nga qeveria, të cilat i ka konsideruar një fushatë shpifjesh dhe akuzash të pabaza për të përbaltur punën e bashkisë. Agolli bëri të ditur se Berisha po bën një maratonë shpifjesh, të cilat i ka nisur dhjetë vjet më parë dhe po kulmojnë me një mal akuzash. “Fushata e përbaltjes së Bashkisë së Tiranës, që ka hyrë në vitin e dhjetë të saj kulmoi mbrëmë me një mal akuzash, të mbledhura në një dosje kartoni, në duart e Kryeministrit të Republikës. Dje, Kryeministri përmblodhi në 1 orë komunikimi publik, gjithë akuzat e këtyre dhjetë viteve ndaj institucionit të Bashkisë dhe Kryetarit të zgjedhur të saj. Bashkia e Tiranës, dosjes kryeministrore të kartonit, me malin e gënjeshtrave, do t’i vërë përballë 302 dosje, me dritën e së vërtetës”, - theksoi Agolli.

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›