Buxheti 2010, institucionet e sigurisë kombëtare marrin fondet më minimale
Ervin KOÇI
Qeveria është treguar shumë dorë shtrënguar me fondet e buxhetit 2010 për disa institucione të rëndësishme që i përkasin sigurisë kombëtare. Ministria e Financave dhe më pas edhe Kuvendi i Shqipërisë, nuk kanë pranuar akordimin e fondeve shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, para këto që duhet të jepeshin pas rishikimit të projekt-buxhetit 2010 ashtu si u veprua me një grup institucionesh të tjera, kërkesat e të cilëve u miratuan. Por edhe pse tashmë vendi është një anëtar me të drejta të plota i NATO-s, interesimi për sigurinë kombëtare dhe investimi që këto struktura kërkojnë në kuadër të modernizimit dhe përsosjes sipas standardeve euro-atlantike, përsëri nuk ka bërë që të kushtohet vëmendja e duhur nga qeveria. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se, “SHISH-i kishte kërkuar nga Financat një fond shtesë prej 50 milionë lekësh, në një kohë që disa herë më i madh ishte fondi i kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes për modernizimin e strukturave të ushtrisë shqiptare dhe të Shërbimit Informativ të Ushtrisë”. Po sipas të njëjtave burime mësohet se, “shtesat në fonde që iu akorduan vetëm disa institucioneve, më tepër se nevojat kanë pasur të bënin me zgjedhje preferenciale”. Burimet shtojnë për gazetën se, “vetëm ato dikastere, krerët e të cilëve e kanë pasur mirë marrëdhënien me kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit, kanë përfituar shtesa në buxhet, ku këtu nuk është përjashtuar as vetë Parlamenti që ka marrë si shtesë në fond plot 62 milionë lekë të tjera”. Nga ana tjetër në seancën e fundit në Kuvend ku janë votuar dhe ndryshimet bashkë me shtesat në buxhetin e vitit 2010, deputetët e mazhorancës nuk kanë votuar shtesat që duhet tu jepeshin disa institucioneve kushtetuese ndër të cilat dhe ata që i përkasin sigurisë kombëtare.
Rishikimi i buxhetit
Në total, buxheti i shtetit për vitin 2010 u planifikua të ishte rreth 411 miliardë lekë. Pretendimet e shumta për më tepër fonde e bënë më konfuz procesin, duke e tejzgjatur përfundimin e miratimit të projektbuxhetit. Ekspertëve të Ministrisë së Financave iu desh të llogarisnin nga e para të gjithë zërat për shpenzime, në mënyrë që të gjenin hapësira për rritje. Në fillim u mendua se nga makinat e zyrtarëve, të cilat do të hiqeshin nga përdorimi, do kurseheshin rreth 520 milionë lekë (afro 600 milionë dollarë). Por duke parë se presioni i lartë nga radhët e ministrive për më shumë fonde në buxhet po bëhej i vazhdueshëm, Financat vendosën të shtojnë edhe 62 milionë lekë të tjera, që sërish vinin nga kursimet e zyrtarëve. Kjo gjë bëri që shtesa e miratuar për buxhetin e vitit të ardhshëm, të rritej dhe të shkonte në 565 nga 520 milionë lekë. Këto shtesa janë miratuar pas rishikimit të fundit të programit buxhetor 2010.
Përfituesit
Paratë do ti kalojnë menjëherë si fonde shtesë disa institucioneve kryesore, të cilat janë ankuar që në fillim për buxhetin e pamjaftueshëm që Ministria e Financave ka programuar për ta vitin e ardhshëm. Tre ishin kërkesat kryesore të miratuara nga Ministria e Financave dhe Kuvendi për fonde shtesë: 500 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, 62 milionë lekë për Kuvendin e Shqipërisë dhe rreth 23 milionë lekë për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Të gjitha këto fonde shtesë u miratuan nga Parlamenti në minutën e fundit, pasi ministria kishte dhënë aprovimin, duke parë shumën e llogaritur nga kursimet e mbi 2000 automjeteve që qeveria ka planifikuar tua shkurtojë zyrtarëve dhe deputetëve. Por të tjera institucione Kushtetuese nuk dolën aspak të kënaqura nga ky rishikim i buxhetit, pasi kërkesat e tyre nuk u morën parasysh. Shërbimi Informativ Shtetëror, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit, si dhe Ministria e Mjedisit morën përgjigje negative si nga Kuvendi përmes votës kundër të deputetëve, ashtu dhe nga Ministria e Financave.
Kursimet
Heqja nga përdorimi i automjetit për një numër jo të vogël zyrtarësh të lartë të shtetit, përfshi dhe deputetët, krijoi jo pak kursime nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për buxhetin e shtetit. Pikërisht në periudhën kur po diskutoheshin kërkesat e disa institucioneve për fonde shtesë, Ministria e Financave e gjeti zgjidhjen te fondi rezervë, i krijuar nga ligji i ri "Për transportin e zyrtarëve të shtetit". Burime zyrtare nga ministria thanë se në total janë kursyer rreth 565 milionë lekë, por shuma mund të jetë edhe më e madhe për shkak se ndodhet ende në fazën e përllogaritjes. Në total kërkesa e ministrive të ndryshme dhe institucioneve të pavarura ishte për një shtesë në buxhet në masën 1.5 miliardë lekë, por ministria aprovoi vetëm 565 milionë lekë, shuma e krijuar me kursimet e automjeteve të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë.
4 Dhjetor 2009