E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i policëve pritet të njihet me vitet e burgut



TIRANË - Kolegji penal që po gjykon Afrim Hasanajn vendosi dje të mbyllte gjykimit për të pandehurin duke i caktuar afat prokurorisë për konkluzionet përfundimtare. Hasanaj pritet të njihet gjatë seancës së radhës se sa vite burg do të kërkojë institucioni i akuzës për vrasjen e dy policëve nga Kukësi. Procesi mbi Hasanajn nuk zgjati shumë për shkak të numrit të vogël të dëshmitarëve, por edhe të zbardhjes së plotë të ngjarjes. Për procedurë, pas konkluzioneve të prokurorit, thotë fjalën e fundit edhe pala mbrojtëse dhe më pas kolegji penal del në një vendim përfundimtar mbi të pandehurin. Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet iu deshën 35 ditë kohë për të mbyllur fazën hetimore dhe për ta dorëzuar dosjen penale me të pandehurin Afrim Hasani në gjykatë. Ndaj Hasanit rëndojnë pesë vepra penale, mes tyre vrasja e dyfishtë e policëve Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila. "Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Afrim Hasani ishte me precedentë penalë që nga kthimi i tij nga Finlanda në fund të vitit 2007, ku kishte qëndruar atje emigrant për disa vite. Pas kthimit nga emigracioni, autori i vrasjes së dy efektivave të policisë jetonte me gruan dhe dy vajzat e mitura në fshatin Petkaj të Kukësit. Me t'u kthyer në vend ai është akuzuar dhe më pas dënuar me 4 muaj burg për ‘falsifikim të akteve të gjendjes civile’. Pas daljes nga burgu ai është njohur si konsumator i alkoolit”, - thuhet në kërkesën për gjykim. Gjatë një kontrolli të bërë nga ana e policisë, Afrim Hasani i është kundërpërgjigjur me zjarr, duke lënë të vdekur në vend dy efektivat e rendit.

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›