Një gazetar dhe tre gazepë
Edmond Tupja
Para pak ditësh, në “Fjalorin e gjuhës shqipe”, botim i vitit 2006, sytë më ngecën, fare rastësisht, te dy fjalë të renditura thuajse njëra pas tjetrës: gazep, me kuptimin “njeri shumë i prapë; njeri keqbërës” dhe gazetar, me kuptimin “njeri që shkruan e redakton artikuj për shtypin ose përgatit e drejton emisione të ndryshme në radio a në televizion”. Sapo përdora fjalën “rastësisht”, por rastësia në fjalë m’u duk e qëllimshme kur, po atë ditë, ndodhi ngjarja e shëmtuar dhe revoltuese e rrahjes së kolegut tim Mero Baze prej tre individëve tashmë të identifikuar e të kapur (njëri i vetëdorëzuar me vonesë) nga policia e shtetit.
Sigurisht, vetëgjyqësia është tejet e dënueshme në një shtet demokratik si Shqipëria; tre gazepët, normalisht, duhej t’u ishin drejtuar organeve gjyqësore për ankesat që mund të kishin për zotin Baze, por nëse do të kishin vepruar kështu, nuk do të më kishin detyruar të merrja penën për të shkruar këto rreshta dhe, rrjedhimisht, nuk do të kishin pasur fatin të meritonin titullin e lartë “gazep”, kështu që vepruan si barbarë të barabartë vetëm me veten e tyre.
Por le ta lëmë përkohësisht mënjanë këtë argument dhe ta pranojmë, po aq përkohësisht, mënyrën e tyre shtazarake të të vepruarit. Dikur kam parë një film francez ku heroi kryesor ndërhyn, tek sheh tre vetë duke rrahur një të katërt, për ta mbrojtur këtë vetëm e vetëm se ai ndodhet fillikat përballë tre kundërshtarëve; kur këta i thonë se po rrahin një maskara, përsëri heroi kryesor këmbëngul që ta mbrojë të sulmuarin sepse i duket paburrëri që tre vetë, pavarësisht arsyeve bindëse që mund të kenë, të rrahin një njeri të vetëm. Me këtë dua të them se tre gazepët tanë e treguan veten të padenjë për emrin burrë: meqë kishin vendosur të bënin vetëgjyqësi, nderi kalorësiak primitiv ua donte që të paktën të ndesheshin në dyluftim të barabartë, par, tek për tek, me zotin Baze. Ata nuk e bënë këtë sepse nuk e njohin kodin e sapopërmendur, i cili nuk zbatohet më prej shekujsh në botën e qytetëruar, por që, për njerëz të paqytetëruar si ata, e ruan ende njëfarë vlere ndonëse muzeore. Sa për dijeninë e tyre, edhe luani apo tigri, ndër shtazët më të egra, gjuajnë të vetmuar, d.m.th. përballen me viktimën e tyre tek për tek; vetëm çakejt dhe hienat sulmojnë në tufë.
Tani le të kthehemi te realiteti europiano-perëndimor i gazetarisë: para një viti e ca, më qëlloi të merrja pjesë si përkthyes në një seminar të organizuar me avokatë shqiptarë nga Këshilli i Europës në Tiranë, gjatë të cilit, në një moment të caktuar, u hap një debat lidhur me profesionin e gazetarëve në shtetet demokratike: me këtë rast, u theksua se ndodh që gazetarët shqiptarë të jenë subjektivë ose tendenciozë, të shtrembërojnë të vërtetën, duke ngjallur pakënaqësi te njerëz të caktuar, por – shtoi një avokat i vjetër e me shumë përvojë – ata nuk dënohen; i njëjti avokat hodhi idenë se madje atyre do t’u bënin mirë disa muaj burg. Në atë çast, ndërhynë ekspertët e Këshillit të Europës duke nënvizuar se gazetarët, edhe kur nuk e pasqyrojnë siç duhet të vërtetën, e sensibilizojnë shoqërinë, opinionin publik, për këtë apo atë çështje delikate dhe se, qoftë edhe vetëm për këtë shërbim që bëjnë, meritojnë të mbrohen; ata shtuan gjithashtu se prej vitesh, në vendet e Bashkimit Europian, asnjë gazetar nuk dënohet me burgim, sepse liria e shtypit bën pjesë në lirinë e informacionit, në lirinë e fjalës, pavarësisht kapërcimeve nganjëherë edhe serioze të disa caqeve. Ky qëndrim përputhet edhe me përkufizimin tim të gazetarit si “një mistrec në shërbim të së vërtetës”. Prandaj, me qëllim që tre gazepët në fjalë ta kuptojnë këtë fakt, unë them, thërras e ulërij: “Ne jemi të gjithë Mero Baze!”; prandaj, po të kisha makinë, nuk do të furnizohesha kurrë me karburant te pikat e Taçi Oil-it; prandaj u sugjeroj tërë gazetarëve, shkrimtarëve, pedagogëve, akademikëve, gjykatësve e prokurorëve, deputetëve, pushtetarëve dhe politikanëve të të gjitha ngjyrave e shijeve, që të mos furnizohen kurrë më me karburant te pikat e lartpërmendura.