E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat: Sistemi amerikan antiraketor në Ballkan; në Shqipëri, apo në Kosovë?



Rikthehen edhe një herë debatet për ngritjen e një baze amerikane në territor shqiptarësh në Ballkan, ku pritet të ngrihet një sistem i ri antiraketë. Një fakt i tillë është shtruar pas tërheqjes së Pentagonit nga Polonia dhe Çekia. Administrata amerikane, në parim, ka hequr dorë nga planet për vendosjen e mburojës antiraketore në Europën Qendrore. Burime nga Uashingtoni kanë thënë se sistemi antiraketor mund të vendoset në Izrael, në Turqi dhe në Ballkan. Administrata e Xhorxh Bushit pati vendosur që sistemi të vendoset në Poloni dhe në Çeki. Administrata e presidentit Barak Obama heq dorë nga planet e vendosjes së mburojës antiraketore në Europën Qendrore dhe kërkon zgjidhje të reja, baza në Izrael, Turqi dhe Ballkan, shkruan e përditshmja polake “Gazeta Viborça”, duke u thirrur në burime të Uashingtonit. Gazeta shkruan se shefi i nismës amerikane për mburojën antiraketore, i cili angazhohet për zgjerimin e mbrojtjes kundërajrore, Riki Elison, i ka konfirmuar gazetës se në parim është sjellë vendimi që SHBA-të të heqin dorë nga sistemi i interceptorëve në Poloni dhe radari në Çeki.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve, zgjidhja e pjesshme mund të jetë sistemi i lëvizshëm antiraketor, të cilin e ka ofruar kompania amerikane “Boeing”, ose varianti i interceptorëve në anijet luftarake të ndërlidhura me sistemin për paralajmërim të hershëm përmes satelitit. Këtë variant e ka përmendur shefi i Agjencisë shtetërore për Mbrojtje Raketore, Patrik O'Rajli. "Kongresi e ka thënë shumë qartë: Sistemi kundërraketor në Europë duhet ta mbrojë Europën dhe Shtetet e Bashkuara njësoj sikur interceptorët të ishin vendosur në Poloni. Prandaj, Pentagoni dëshiron që raketat t'i transferojë nga anijet në tokë, në mënyrë që të mund t'i shkatërrojnë raketat në fazën fillestare të fluturimit. Kjo kërkon baza tjera në tokë, njërën në Izrael, kurse tjetrën në Turqi apo Ballkan", - ka thënë Elison
Prej disa kohësh është hedhur ideja për ngritjen e një baze amerikane në Shqipëri. Deputeti socialist, Pandeli Majko, është shprehur pozitivisht për ofrimin e territorit shqiptar, nëse do të ketë një kërkesë zyrtare nga Uashingtoni. Edhe vizita e ish-presidentit Bush në Shqipëri u pasua me informacione të pakonfirmuara zyrtarisht, të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e një baze ushtarake në vendin tonë. Por, deri tani nuk ka të dhëna zyrtare për një hap të tillë. Aktualisht, amerikanët kanë një bazë në Bonstill të Kosovës, e cila është ndër më të mëdhatë në gjithë Europën. Integrimi i Shqipërisë në NATO, proces i cili u mbyll falë kontributit të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara, ka futur në një marrëdhënie të re bashkëpunimi ushtarak këto dy vende.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›