Manjola Nallbani, “Shprehi e vjetër” në Festivalin Ballkanik të Ohrit
Petrika GROSI
Këngëtarja Manjola Nallbani do të përfaqësojë Shqipërinë me këngën “Shprehi e vjetër” në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës që zhvillohet këto ditë në Ohër. Është edicioni i XVI i “Festivalit të Ohrit” (Ohrid Fest) që mbledh në disa mbrëmje të tij këngëtarë e grupe të njohura të muzikës folklorike, pop dhe asaj të lehtë, por edhe talente të reja nga Maqedonia, Ballkani e më gjerë. Vet këngëtarja Nallbani, ka pohuar dje për gazetën “Albania” se më 29 gusht do të garojë në seksionin ndërkombëtar të këtij festivali ku marrin pjesë edhe vende të tjera fqinje të rajonit si Greqia, Serbia, Bullgaria, Turqia etj. Festivali është ndarë në disa kategori si “Nata e Muzikës folklorike”, “Nata e Muzikës Pop”, “Nata e Muzikës Ndërkombëtare” dhe “Nata e muzikës së yjeve të reja”. Tashmë, ky eveniment që zhvillohet përvit në Ohër konsiderohet ndër ngjarjet më të rëndësishme rajonale të muzikës dhe shfaqet bë frekuencat e mbi 10 televizioneve të shteteve të ndryshme. Sa i takon historikut të këtij festivali, ai ka nisur të zhvillohet çdo verë që nga viti 1994. Fillimisht (’94 – ’97) festivali ishte konceptuar si një kompeticion veror folklorik maqedonas por më pas, i motivuar nga emrat e ndryshëm të kompozitorëve dhe artistëve që morrën pjesë, si dhe nga suksesi i tij, aktiviteti e zgjeroi gjeografinë, duke u shndërruar në një festival të përmasave ndërkombëtare (2003). Artistë të ndryshëm, të njohur e të panjohur kanë marrë pjesë me performancat e tyre në mbrëmjet e “Ohrid Fest”, ndërsa më të mirët e festivalit janë vlerësuar me çmime, të cilat janë shoqëruar me vlera të konsiderueshme monetare dhe me produkte të dhuruara nga sponsorët.
Ermira Babaliu rikthehet në Korçë për të çelur sezonin e ri artistik
Teatri “Andon Zako Çajupi” i qytetit të Korçës do të çelë sezonin e ri artistik në 30 gusht me një variete me humor dhe këngë, protagonistë të së cilës do të jenë artistët Arben Dervishi dhe Ermira Babaliu, të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në SHBA.
Aktivitetet e këtij institucioni artistik, edhe këtë sezon mbështeten tek forcat më të mira krijuese për të dhuruar sa më shumë spektakël e cilësi për artëdashësit. “Varieteja me humor dhe këngë që do të çelë sezonin e aktiviteteve kulturore të teatrit risjell në skenë artistë të njohur korçarë si humoristin Arben Dervishi, këngëtaren Ermira Babaliu apo libretistin Maksi Stiko”, tha për ATSH-në drejtoresha e këtij teatri, aktorja Zamira Kita.
Nostalgjia e artëdashësve korçarë për artistët e larguar, por edhe e vetë këtyre artistëve që i rikthehen skenës së qytetit të tyre, garanton një sukses të premierës së komedisë që do të shfaqet në teatrin e Korçës nga fundi i muajit gusht. “Vetë artistët kanë dëshirë të rikthehen në qytetin ku janë formuar si të tillë, për të shpalosur një krijimtari më cilësore që pa dyshim do të mirëpritet nga artëdashësit korçarë”, cilësoi znj.Kita, e cila është dhe një nga artistet që do të interpretojë në varietenë premierë të teatrit të Korçës. Tre nga artistët kryesorë të premierës, aktori Arben Dervishi, këngëtarja Ermira Babaliu dhe libretisti Maksi Stiko, kanë emigruar në SHBA dhe tashmë rikthehen së bashku në Korçë me një projekt të përbashkët kulturor në bashkëpunim me teatrin e këtij qyteti. Varieteja me humor që do të çelë sezonin artistik të vjeshtës, me libret të Maksi Stiko, trajton tema të korrupsionit dhe aspekteve sociale të jetës shqiptare, duke i përcjellë ato me humor. Kjo premierë do të sjellë në skenë, veç këngëtares së njohur Ermira Babaliu, edhe Lazarela Detin e të tjerë interpretues të këngëve qytetare dhe serenatave korçare.
28 Gusht 2009