E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BSH: Depozitat në korrik nuk u rritën, munguan remitancat

Në korrik sasia e depozitave në banka mbeti 611.8 miliardë lekë. Në Shqipëri në muajin korrik hynë rreth 400 mijë turistë të huaj

Sasia e depozitave në sistemin bankar shqiptar gjatë muajit korrik mbeti e pandryshuar në 611.8 miliardë lekë (rreth 4.67 miliardë euro) në krahasim me muajin qershor, ndërkohë që në krahasim me një vit më parë kanë rënë me 3.85 për qind. Mosrritja e depozitave në korrik shikohet nga specialistët e sektorit bankar si një tregues i prurjeve të dobëta nga emigrantët dhe turizmi, ose më saktë, mungesës së remitancave dhe të ardhurave nga turizmi. Vera mbahet zakonisht si një stinë e begatë në të gjitha drejtimet në ekonominë shqiptare, për shkak të kombinimit të prodhimit bujqësor vendas me prurjet në valutë nga emigrantët dhe turistët. Kur u duk se depozitat pas gjashtë muajsh rënieje iu rikthyen sërish trendit të rritjes, të dhënat e fundit zyrtare të BSH-së tregojnë se edhe gjatë muajit qershor kursimet në banka u tkurrën në 2.4 miliardë lekë. Sipas të dhënave në fund të muajit qershor depozitat në bankat shqiptare ranë në 611.8 miliardë lekë nga 614.2 që ishin në fund të majit, nivel i cili ka mbetur i pandryshuar edhe gjatë muajit korrik. Të dhënat tregojnë se tkurrja ka ardhur e gjitha nga depozitat në valutë, të cilat kanë rënë me 6.1 miliardë lekë në muajin qershor ose më shumë se 2.3 për qind brenda një muaji. Ekspertët e BSH-së thonë se një pjesë e rënies së depozitave në valutë vjen si efekt i kursit të këmbimit dhe kryesisht zhvlerësimit të euros ndaj lekut, e cila sipas kursit zyrtar në qershor ka qenë 1.3 për qind. Ndërsa pjesa tjetër prej afro 1 për qind e rënies së depozitave duket se ka të bëjë me tërheqje.

Depozitat ne korrik

Zyrtarisht, në Shqipëri në muajin korrik hynë 400 mijë turistë të huaj, sipas të dhënave të qeverisë, shifër kjo dy herë më e lartë se në korrik 2008, por kjo rritje marramendëse statistikore e turisteve të huaj nuk u pasqyrua fare në sasinë e depozitave. Përkundrazi, depozitat në valutë u ulën me rreth 18 milionë euro dhe rënia e tyre u kompensua nga rritja e depozitave në lekë. Në korrik të vitit 2008, depozitat në sistemin bankar u rriten me rreth 80 milionë euro. Ekspertë të bankave të ndryshme e patën lajmëruar më herët se këtë vit në sportele nuk është vënë re prani më e madhe e valutës së huaj, gjë që është e zakonshme për verën. Për pasojë, leku pati tendence të përgjithshme nënçmimi kundrejt euros përgjatë të gjithë muajit gusht, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Analistët e ecurisë së kursit të këmbimit parashikojnë rritje të kërkesës për valutë nga biznesi pas mbylljes së pushimeve dhe disa prej tyre mendojnë se leku do të gjendet nën presion të fortë gjatë javëve të ardhshme.

Bonot e thesarit

Bonot e Thesarit me afat 1-vjeçar maturimi arritën dje një rekord të ri, duke u shitur me interes 9.30 për qind. Në ankandin e fundit interesi ishte 9.29%. Po kështu në rritje ishte edhe interesi i letrave me vlerë 3-mujore, që u rritën në 6.34%, nga 6.31%, që ishte interesi në ankandin e mëparshëm. Pas rritjes së interesit të bonove të Thesarit me afat njëvjeçar dhe tremujor maturimi, ditët e fundit në tregun e letrave me vlerë është shënuar edhe rezultat i ri po në këtë drejtim. BSH-ja njoftoi se në një nga ankandet e fundit, të zhvilluar në selinë e saj me porosi të Ministrisë së Financave, gjatë shitjes së obligacioneve shtetërore 2-vjeçare është shënuar sërish rritje e interesit të tyre. Nga 9.45% që ishte interesi i tyre në ankandin më të fundit, të zhvilluar në muajin korrik të këtij viti, tashmë obligacionet me maturim 24-mujor u sjellin zotëruesve të tyre një fitim vjetor prej 9.55 përqindësh. Kjo shpreh, ashtu si edhe në rastin e bonove, një kërkesë gjithnjë e më të madhe për likuiditete nga qeveria shqiptare, ndërkohë që oferta ka qenë më e vogël, nga që bankat e nivelit të dytë kanë pasur më pak para në dispozicion.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›