Me grip derrash 4 komando shqiptare në Afganistan
Katër komando shqiptarë me mision në qytetin e Heratit në Afganistan janë prekur nga gripi i derrave. Lajmin e konfirmoi dje edhe ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa. Nga sa bëhet me dije ushtari Denis Sulko nga Lushnja pjesë e brigadës së ndërhyrjes se shpejtë po kurohet në spitalin spanjoll të kampit, për shkak se gjendja e tij është më e rëndë. Ndërsa tre ushtarët e tjerë janë izoluar në një dhomë të kampit ku edhe po marrin mjekim. Burime nga kampi pohojnë se në radhët e forcave komando janë infektuar nga virusi edhe 9 persona të tjerë. Ushtarët shqiptarë kanë pak kohë që janë nisur në Afganistan dhe kryejnë misionin nën komandën italiane. Nga ana tjetër as Ministria e Shëndetësisë nuk është e informuar nga dikasteri i mbrojtjes për katër rastet në fjalë. Për ta nuk dihet nëse janë infektuar në vendin ku kryejnë misionin ushtarak apo e kanë marrë në kohen kur ishin në Shqipëri. Ndërsa trupat e tjera që jetojnë në kamp jetojnë në dhoma të përshtatshme, ushtarët shqiptarë qëndrojnë në një çadër të rrëzuar nga 25 persona bashkë, ku higjiena lë për të dëshiruar. Po dje specialistët e shëndetësisë pohuan se në Shqipëri pritet që të preket nga virusi AH1N1 më shumë se 30% e popullsisë. Në kohën kur nuk ka ende asnjë zgjidhje konkrete për mënyrën si do të sigurohet vaksina ISHP vijon të japë detaje mbi planin e vaksinimit, i cili ka shumë gjasa të mos vihet në zbatim.