E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, tkurren të ardhurat

 

Fabiola Çela

Qeveria ka miratuar dje disa ndryshime në buxhetin e vitit 2009. Ajo çka bie në sy është ulja e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Qeveria ka kryer edhe një rishpërndarje të shpenzimeve. Ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë nga qeveria, këtë vit rritja ekonomike do të jetë 4.8 për qind.
Buxheti
Totali i të ardhurave për vitin 2009 parashikohet të jetë 327.1 miliardë lekë, me një rritje prej 12.3 për qind kundrejt vitit 2008. Konkretisht të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë parashikuar që në fund të vitit 2009 të arrijnë në nivelin prej 222.7 miliardë lekë me një rritje prej 8.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Por krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2009, qeveria ka parashikuar një reduktim prej 7.5 miliardë lekë. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore parashikohen në 54.9 miliardë lekë, me një rritje prej 14.8 për qind krahasuar me vitin 2008, por me një reduktim prej 2.5 miliardë lekë nga buxheti fillestar i vitit 2009. I pandryshuar ka mbetur parashikimi për të ardhurat nga pushteti lokal në një nivel prej 18.4 miliardë lekë. Të ardhurat jotatimore parashikohen në 24.8 miliardë lekë me një rritje prej 9.9 për qind kundrejt vitit 2008, ose me një shtesë prej 2.3 miliardë ndaj buxhetit fillestar të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare, ndryshimi total i ardhurave në buxhetin e rishikuar të vitit 2009 është 7.7 miliardë lekë më pak. Sipas ndryshimeve të miratuara dje në qeveri, të ardhurat nga TVSH-ja parashikohen që të rriten me 7.1 për qind kundrejt vitit 2008. Nga totali prej 114.7 miliardë lekë të parashikuara për këtë taksë, administrata doganore pritet që të mbledhë rreth 78.8 miliardë lekë me një rritje prej 5.1 për qind ndaj vitit 2008. Ndërsa administrata doganore pritet që të arkëtojë deri në fund të vitit 35.9 miliardë lekë të ardhura nga TVSH-ja me një rritje prej 11.6 për qind ndaj një viti më parë. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë parashikuar në masën 19.4 miliardë lekë me një rritje prej 7.3 për qind ndaj një viti më parë. Por të ardhurat në buxhetin e rishikuar për tatim-fitimin janë 1.4 miliardë lekë më pak se në buxhetin fillestar të 2009-ës. Të ardhurat që parashikohen që të arkëtohen nga akciza për vitin 2009 janë 36.8 miliardë lekë. Ndryshimi me buxhetin fillestar është 7.5 miliardë lekë më pak. Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë parashikuar që të mblidhen 28.7 miliardë lekë. Për këtë taksë niveli i mbledhjes së të ardhurave do të jetë më i lartë seç kishte parashikuar qeveria në buxhetin fillestar. Shpenzimet e përgjithshme parashikohen që të jenë 401.907 milionë lekë me një rritje prej 4 për qind, krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2009. Qeveria ka ulur shpenzimet për personelin si dhe shpërblimet operative, pra shpenzimet korrente kapin vlerën 285.430 milionë lekë me një reduktim prej 1.732 milionë lekë kundrejt buxhetit fillestar. Në buxhetin e rishikuar të vitit 2009 janë parashikuar 102.556 milionë lekë investime publike me një rritje prej 12.120 milionë lekë kundrejt buxhetit fillestar të vitit 2009, ose rreth 8.7 për qind e PBB-së. Nga këto 83.000 milionë lekë me financim të brendshëm dhe 19.556 milionë lekë me financim të huaj. Niveli i shpenzimeve kapitale të brendshme parashikohet 21 për qind më i lartë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2009, me një rritje totale prej 14.339 milionë lekë. Për Ministrinë e Punëve Publike qeveria ka alokuar një rritje të investimeve në masën 20.226 milionë lekë, nga të cilat 19.526 milionë lekë shkojnë për infrastrukturën rrugore, nga ku 14.400 milionë lekë destinohen për rrugën Rrëshen-Kalimash.

Buxheti i rishikuar për 2009-ën (në milionë lekë)

Emërtimi         Buxheti     Në %
            i rishikuar    të PBB-së

Totali të ardhurave      327,117        27.81%

Të ardhurat        6,313        0.54%
nga ndihmat

Të ardhura tatimore    295,982        25.16%

Nga tatimet
dhe doganat        222,669        18.93%

TVSH            114,657        9.75%

Tatimi mbi fitimin    17,559        1.49%

Akcizat            36,795        3.13%

Tatimi mbi të
ardhurat personale    30,611        2.60%

Të ardhura nga
pushteti vendor        18,412        1.57%

Totali i shpenzimeve    401,907        34.17%

Shpenzime korrente    285,430        24.26%

Fondi rezervë        13,921        1.18%

Shpenzimet kapitale    102,556        8.72%

Deficiti             -74,790        -6.36%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›