E Diel, 1 Nëntor 2026

“Agro-Blend” dëmshpërblen me misër kokërr 517 fermerë të dëmtuar



Kompania “Agro-Blend”, që merret me prodhimin dhe importimin e farërave dhe fidanëve, po vazhdon procesin e dëmshpërblimit me misër kokërr të 517 fermerëve në dy qarqe të vendit, Elbasan dhe Fier, të dëmtuar nga fara e skaduar e misrit “Aliseo”, e importuar nga Franca. Fiqiri Ismaili, president i “Agro-Blend”-it, tha se gjithsej janë rreth 145 hektarë tokë e mbjellë me farën e skaduar të misrit, e cila nuk ka prodhuar misër. Sipas tij, procesi i dëmshpërblimit të fermerëve po vazhdon normalisht në të gjitha zonat si Elbasan, Gramsh dhe Fier, në mirëkuptim të plotë me fermerët e dëmtuar. Sipas tij, “vlera e dëmshpërblimit është llogaritur me vlerën e rendimentit mesatar të misrit në këto zona nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit”.

Reshjet, shtohen prurjet në kaskadën e lumit Drin

Reshjet e shiut që kanë karakterizuar motin këto ditët e fundit kanë përmirësuar situatën hidrike në kaskadën e lumit Drin. KESH-i ka ulur ndjeshëm prodhimin e energjisë me qëllim mbushjen e liqenit të Fierzës dhe krijimin e rezervës për periudhën në vazhdim. Sipas të dhënave zyrtare nga KESH, aktualisht nga HEC-et prodhohen 4.4 milionë kilovatë/orë në ditë, ndërkohë që importi është rritur në 9.4 milionë kilovatë/orë, duke zënë dhe pjesën kryesore të furnizimit me energji elektrike. Niveli në liqenin e Fierzës ka arritur në 276.2 metra, ndërsa prurjet llogariten në 90 metra kub ujë në sekondë. Falë reshjeve, niveli i ujit dhe i prurjeve të tij në liqenin e Fierzës rritet çdo ditë me 14 cm.

“IBM” prezanton shërbimin për automatizimin e punëve administrative

Kompania e teknologjisë së informacionit “IBM” dhe partneri i saj shqiptar “Konsort”, kanë prezantuar për herë të parë në Shqipëri një shërbim me anën e të cilit synohet automatizimi i punëve administrative. Projekti, që njihet me emrin “ECM” (Enterprise Content Management) u mundëson institucioneve publike dhe kompanive të mëdha private automatizimin e proceseve të punës dhe menaxhimin në format elektronik të të gjithë dokumentacionit. Projektet e qeverisë siç është “i-goverment”, tendenca në rritje e biznesit për të përdorur sa më shumë teknologjinë e informacionit ende janë në shkallë të ulët. Në drejtim të futjes dhe përdorimit të teknologjisë së informacionit Shqipëria renditet më poshtë se shumica e vendeve të rajonit.

Tregu i sigurimeve rritet me 18 për qind gjatë muajit gusht

Vlera e primeve të sigurimeve të regjistruara në kompanitë e sigurimeve nga janari deri në gusht të këtij viti kapi një vlerë 18.2 për qind më të lartë se sa ishte vjet. Peshën thelbësore në këto prime e kishin ato të “Jo Jetës” me mbi 85 për qind. Të dhënat saktësojnë se primet kapën vlerën prej 3.210.103 mijë lekë ose rreth 45 milionë euro përkundrejt 2.716.047 mijë lekë ose rreth 35 milionë euro të realizuara në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Gjatë këtyre 8 muajve të parë u shënua një rritje në masën 39.55 për qind të sigurimeve të Jetës dhe 16.63 për qind të sigurimeve të Jo Jetës. Në periudhën janar-qershor 2008 volumi i primeve të sigurimit të detyrueshëm u rrit në masën 4.69 për qind, ndërsa volumi i primeve të sigurimit vullnetar të Jo Jetës u rrit në masën 47.64 për qind.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›