Opozita, gati nisja e erës së re të bashkëpunimit
Shaban Sulçe
Opozita hedh hapat e parë të bashkëpunimit. Të ndodhura përpara ngjarjeve të rënda të kohëve të fundit, që kapën kulmin me zhdukjen e dëshmitarit Trebicka, të ndodhura përpara presionit të opinionit publik, por edhe atij ndërkombëtar, partitë e majta duket se janë gati për të lënë pas mosmarrëveshjet dhe konfliktet midis tyre. Opozita pritet të nisë sot një erë të re bashkëpunimi, që pritet të zyrtarizohet pas takimit që pritet të zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve të pesë partive kryesore të saj. Pas hedhjes së hapit të parë nga ana e kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili me anë të një letre kërkonte bashkëpunim aleatëve, përgjigjja pozitive ka ardhur edhe nga ana e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Meta tha se LSI-ja është e gatshme që të bashkëpunonte me Partinë Socialiste dhe me çdo forcë tjetër të opozitës për të larguar një orë e më parë kryeministrin Berisha. Përgjigje pozitive mësohet se kanë dhënë edhe kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, kryetari i PDS-së, Paskal Milo dhe ai i PAD-së, Neritan Ceka, të cilët priten të jenë sot të pranishëm në takimin që do të zhvillohet në hotel “Sheraton”.
Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se mirëpret iniciativën e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për të bashkërenduar veprimet e opozitës ndaj qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Meta tha se shpresonte që letra e dërguar nga Rama të ishte një reflektim serioz nga ana e kreut të PS-së. Kryetari i LSI-së shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar jo vetëm me PS-në, por me çdo forcë politike të së majtës, për të larguar njëherë e mirë Sali Berishën dhe qeverisjen e dështuar të tij. “Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar dhe për të hequr Berishën jo për të vazhduar, sepse nuk presim më diçka të mirë me Berishën. Nuk presim reforma me Berishën, me Berishën priten vetëm viktima”, - tha Meta.
Bashkëpunimi
Kryetari i LSI-së deklaroi se bashkëpunimi i ri i opozitës duhet të nisë që nga rishikimi i Kushtetutës, realizimi i reformës zgjedhore, zbardhja deri në fund e krimit shtetëror të Gërdecit dhe njëkohësisht qëndrimi i përbashkët për të larguar përfundimisht Berishën. Të gjitha këto Meta nuk i cilësoi absolutisht si kushte të vendosura nga LSI-ja, po si çështje principesh, mbi të cilat duhet të ndërtohet bashkëpunimi i ri i të majtës. “Mendoj se është çështje principesh dhe në këtë drejtim është shumë e rëndësime të theksohet domosdoshmëria për të rishikuar Kushtetutën, jo sipas dëshirës thjeshtë tonën, por si pas vullnetit të popullit tonë shqiptar, të cilit i është mohuar referendumi dhe pa dyshim reforma zgjedhore, zbardhja deri në fund e gërdecit, ku parlamenti ka detyrën e vetë dhe opozita duhet të ketë rolin kryesor dhe njëkohësisht angazhimi për largimin e Berishës, pa dyshim që janë pikat kryesore, që mund të sjellin një bashkëpunim normal dhe jo thjesht një fasadë që nuk ndihmon askënd dhe aq më tepër opozitën, të majtën dhe shqiptarët, që kanë nevojë për mbështetje dhe për mbrojtje nga kjo qeveri dhe ky kryeministër”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
17 Shtator 2008