PS-ja, ftesë të gjithë qytetarëve për protestën e së premtes
Partia Socialiste u bën thirrje qytetarëve të Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë për të marrë pjesë në protestën madhështore, që do të organizohet ditën e premte kundër qeverisë së Berishës dhe mungesës së sigurisë e drejtësisë që ka shkaktuar ajo në vend. Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se në këto orë të vështira që po kalon vendi është shumë e rëndësishme që qytetarët të marrin pjesë në këtë protestë, ku kryeministrit Berisha do t’i kërkohet të kuptojë se sot të gjithë shqiptarët kërkojnë zbatimin e ligjit, vendosjen e sigurisë dhe drejtësisë në Shqipëri. “Në këto orë të vështira për të gjitha familjet shqiptare, ne i ftojmë të gjithë qytetarët për të manifestuar së bashku nën një zë të vetëm, të premten pasdite, për të drejtën tonë si qytetarë për siguri dhe drejtësi.
Kryeministri duhet të kuptojë, dëgjojë e të shohë se çdo shqiptar e shqiptare, i ri apo i moshuar, kërkon sot njëzëri një Shqipëri ku çdo njeri të respektojë ligjin, të ndjehet i sigurt e ku ligji të veprojë njësoj për të gjithë”, - tha zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli.
Protesta e ditës së premte u paralajmërua nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, menjëherë pasi u mësua vdekja e dëshmitarit kyç dhe denoncuesit të trafikut të armëve në Shqipëri, Kosta Trebicka. Rama tha se të premten të gjithë qytetarët shqiptarë do të protestojnë kundër mungesës së sigurisë dhe të drejtësisë në vend. “Sot, gjashtë muaj nga tragjedia e Gërdecit, kur populli i tërë kërkon me padurim të dijë jo vetëm kush qëndron pas shpërthimit vrastar të 15 marsit të shkuar, po edhe se si qëndron e vërteta e vdekjes së dëshmitarit kyç të Gërdecit, ne i ftojmë qytetarët të premten pasdite, për ta manifestuar me një zë të vetëm në këto orë të vështira për Shqipërinë nevojën jetike të të gjitha familjeve shqiptare për sigurinë e drejtësinë”, - deklaroi dy ditë më parë kryetari i PS-së, Edi Rama. Në protestën e ditës së premte pritet të marrin pjesë gjithashtu edhe anëtarët e partive opozitare si LSI, PSD, PDS dhe PAD.
17 Shtator 2008