Berisha ben publike arritjet e qeverise, injoron Gerdecin
Kryeministri Sali Berisha ka paraqitur dje në formën e një parade ato që ai i ka cilësuar si suksese të qeverisë që ai drejton. Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbrëmje, në një konferencë për shtyp, e cila ka zgjatur rreth një orë, kryeministri ka anashkaluar disa nga problemet kyçe me të cilat përballen shqiptarët. Megjithëse aktualisht opinioni publik është përfshirë në një debat të nxehtë për tragjedinë e Gërdecit dhe zbardhjen e kësaj afere korruptive, kryeministri Berisha nuk ka denjuar të lërë asnjë hapësirë për këtë çështje të ndjeshme. Por kreu i Ekzekutivit shqiptar ka renditur në formën e një monologu të gjatë dhe të lodhshëm të gjitha arritjet e qeverisë gjatë këtyre tre viteve. I pyetur rreth ndryshimit të qëndrimit për etiketimin e Kosta Trebickës, Berisha u shpreh se kushdo në vendin e tij do ta quante mafioz kur të lexonte transkriptimin e bisedës telefonike. Por, pasi gjërat janë qartësuar, Berisha tha se dhe ai ndryshoi qëndrim. Në vazhdim të fjalës së tij, më së shumti Berisha i është referuar raportit të fundit të Bankës Botërore, duke e vlerësuar këtë raport. Berisha gjithashtu bëri të ditur se qeveria që ai drejton ka ndërmarrë shumë reforma, veçanërisht në fushën e ekonomisë, të cilat kanë sjellë rritjen e pagave, rritjen dyshifrore ekonomike të vendit, rritjen e nivelit të kreditimit të biznesit etj. Sipas Berishës, qeveria ka lehtësuar procedurat për regjistrimin e biznesit dhe procedurat për regjistrimin e pronës. Megjithëse ai pranoi se ende ka probleme ky sektor, qeveria do të bëjë përpjekje që të zgjidhjen sa më parë.
Gjatë fjalës së tij kryeministri nuk ka harruar të përmendë dhe kundërshtarin e tij politik, kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai i bëri thirrje Ramës që të ndalojë aferat korruptive që bën për dhënien e lejeve të ndërtimit. Berisha kërkoi që lejet e ndërtimit të mos futen nëpër sirtarë, por të shkurtohet koha për miratimin e tyre. Kryeministri është shprehur se me këto arritje ai ka hequr dhe brengën e tij më të madhe. Sipas Berishës, brenga e tij më e madhe “nuk ka qenë kurrë se unë, një ditë, për shkak të rebelimit, lashë karrigen e presidentit, por brenga ime ishte se Shqipëria rritjen ekonomike e hodhi poshtë për shkak të këtij rebelimi. Ndaj unë ju premtova para tre vitesh se do ndërmarr reforma të thella”.
Në përfundim Berisha ka shprehur bindjen se progres-raporti i Komisionit Europian, i cili do të publikohet në muajin nëntor të këtij viti, do të jetë pozitiv për Shqipërinë.
17 Shtator 2008