E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e mjedisit, katër landfille për përpunimin e mbetjeve urbane



Mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të njerëzve nga ndotja dhe dëmtimi që shkaktohen nga mbetjet e ngurta urbane (familjare, tregtare) dhe inerte (ndërtimi dhe shkatërrimi), janë objektiv i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kjo ministri po realizon një sërë projektesh në kuadër të menaxhimit të mbetjeve të ngurta urbane. Konkretisht, për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane po kryhen investime në landfillin e Bushatit, Rrëshenit, ndërsa janë drejt përfundimit studimet dhe projektet për ndërtimin e atij të Korçës dhe Beratit. Në landfillin e Bushatit, në qarkun e Shkodrës, parashikohet përpunimi i rreth 47 mijë tonëve mbetje urbane në vit, me vlerë 130 milionë lekë, investim i cili do t’i shërbehet një popullsie prej 200 000 banorësh. Deri tani janë kryer rreth 55 për qind e vëllimit të punës, ndërsa punimet do të mbyllen në fund të nëntorit të vitit 2008. Po kështu shumë shpejt pritet edhe fillimi i punimeve për ndërtimin e landfillit të Rrëshenit, me vlerë investimi prej 6 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, i cili parashikon përpunimin e 3500 tonëve mbetje urbane në vit, dhe i shërben një popullsie prej 15 000 banorësh. Brenda këtij viti pritet përfundimi i studimit të fizibilitetit të vend-depozitimit ekzistues të qytetit të Korçës, investim që kap shifrën e 20 milionë lekëve. Nga buxheti i shtetit do të financohen 16 milionë lekë për ndërtimin e landfillit të Beratit, ndërsa brenda këtij muaji do të bëhet edhe tenderi që do të përcaktojë kompaninë që do të kryejë punimet.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›