Policia e Gjirokastrës pohon zyrtarisht dështimin në luftën kundër Cannabisit
GJIROKASTËR – Autoritetet policore të Qarkut të Gjirokastrës pohojnë zyrtarisht dështimin në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Në raportimin mujor të Drejtorisë së këtij Qarku thuhet se janë zbuluar vetëm 23 përqind të rasteve të kryerjes së veprës penale të kultivimin e lëndëve narkotike. Nga të dhënat e deklaruara janë zbuluar vetëm 6 nga 26 rastet e regjistruara për muajin e kaluar. Burimet zyrtare pohojnë se janë asgjësuar më shumë se 12 mijë rrënjë Cannabis Sattiva në parcelat që ndodheshin në rrethet e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit, por numri i të ndaluarve dhe të arrestuarve është shumë i vogël. Rasti më flagrant është në komunën e Lazaratit, ku ndonëse janë ndërmarrë disa operacione, sërish nuk është arritur të bëhet i mundur asgjësimi i bimëve të kultivuara në këtë zonë.
Raporti mujor bën të ditur se ka filluar procedimin penal për 13 shtetas, të cilët janë shpallur në kërkim si të implikuar në kultivimin e lëndëve narkotike. Në publikimin e përmuajshëm përmenden edhe rezultatet në luftën kundër zjarreve, ruajtjen e rendit dhe qetësisë, parandalimin e aksidenteve automobilistike, etj..
Nga ana e Strukturave të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër gjatë kësaj periudhe është bërë e mundur kapja e 5 personave në kërkim, për llogari të Drejtorive të Policisë në vende. Po ashtu, janë ndaluar dhe kthyer mbrapsht në kufi 7 shtetas të huaj, të cilët kanë qenë të papajisur me dokumentacion të rregull për hyrje në Republikën e Shqipërisë. Sipas të dhënave, njësitet e policisë kufitare të Stacionit të Policisë së Kakavijës dhe Çarshovës kanë bllokuar dhe kthyer mbrapsht 340 shtetas të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
17 Shtator 2008