E Diel, 1 Nëntor 2026

Elektroshtëpiaket nga Kina, bllokim të gjitha pajisjeve pa siglën “CE”

METE kontrollon të gjitha tregjeve industriale në vend. Pajisjet dyshohen të jenë me substanca amianti dhe asbesti

Ervin Koçi

Shitja e pajisjeve elektroshtëpiake dhe materialeve të tjera që janë kryesisht me origjinë nga Kina, është kthyer në një problem serioz, pasi një pjesë e madhe e tyre rezultojnë skarco që të reja. Mungesa e volave të certifikimit, mosnjohja e origjinës së mallit, që në pjesën më të madhe është imitacion i firmave më prestigjioze, por dhe frika nga substancat kancerogjene, i ka detyruar autoritetet shtetërore të marrin masa. Prej vitesh shitja e këtyre pajisjeve në tregjet tona industriale ka qenë e lirë dhe sot shtëpitë e shqiptarëve janë të mbushura plot e për plot me pajisje të tilla, që nuk dihet se ku janë prodhuar realisht ose nga kanë ardhur. Shumë prej tyre sot madje janë edhe stoqe në sirtarët apo dollapët e shtëpive tona, pasi janë prishur prej kohësh dhe vështirë se mund të riparohen. Por ekspertët e Inspektoratit Qendror Teknik në METE dhe ambientalistët i konsiderojnë këto pajisje si “bomba” të vërteta ekologjike, që gjenden brenda shtëpive tona, si dhe shkak kryesor për stimulimin e sëmundjeve kancerogjene te njerëzit dhe kryesisht te gratë, të cilat kanë dhe kontakt më të shpeshtë me to. Sipas ekspertëve, këto pajisje janë të rrezikshme pikërisht kur mbinxehen nga përdorimi i tepërt ose kur oksidohen ose shkrijnë, pasi çlirojnë në ajër, por edhe në ushqime apo lëkurë, mikrogranula ose molekula kancerogjene. Kjo për faktin se një pjesë e madhe e këtyre pajisjeve janë të bëra me materiale si nikel-kobalti, apo asbesti ose amianti, materiale të cilat kur shkrijnë nga kontakti me nxehtësinë çlirojnë lëndë toksike dhe kancerogjene të dëmshme për jetën e njeriut në kontakt me to.

Masat e mara

Ministria e Ekonomisë synon të rrisë standardet e cilësisë dhe sigurisë që duhet të plotësojnë pajisjet elektroshtëpiake në tregun vendas. Ilir Kurti, kryeinspektori në Inspektoratin Qendror Teknik në METE, në një prononcim për mediat, tha se pajisjet elektroshtëpiake që nuk kanë një markë “CE” të autorizuar, konsiderohen të pasigurta, ose të falsifikuara. Duke u ndalur në faktin se sa të sigurta janë këto pajisje në tregun shqiptar, Kurti shpjegon se, “cilësia e këtyre produkteve, krahasuar me nivelin e sigurisë, është në të njëjtin nivel, por çmimi i shitjes së tyre është më i lartë se cilësia e ofruar”.
Për të garantuar konsumatorët për cilësinë dhe sigurinë e këtyre produkteve, vitet e fundit, METE, në bashkëpunim dhe me ekspertët e huaj të programit “CARDS”, përgatitën ligjin bazë të kontrollit të tregut, mbi "Sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore".

Ligji

Mbi bazën e ligjit "Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore", inspektorët e IQT-së intensifikuan kontrollin në tregun me shumicë dhe pakicë të produkteve elektrike në qytetet kryesore të vendit ku dhe konstatuan pajisje të ndaluara për shitje në tregjet në shtetet përreth nesh për arsye të pasigurisë dhe mungesës së certifikimit. Për pasojë, këto pajisje false janë futur në tregun tonë, ose akoma më keq, edhe prodhime enkas për tregun shqiptar, të importuara nga vendet aziatike, ku këto pajisje prodhohen me kosto mjaft të ulët. Zbatimi i ligjit dhe masat e marra synojnë të rrisin cilësinë dhe sigurinë e pajisjeve elektroshtëpiake në treg si dhe të përmbushin të gjitha kërkesat thelbësore të rregullave teknike të miratuara.
Për këtë qëllim konsumatorit shqiptar do t'i vihet në shërbim dhe leximi në shqip i librave të përdorimit e të instalimit të këtyre pajisjeve. Ai (konsumatori), duhet të shohë të stampuar qartë markën “CE” të kontrolluar nga trupa të autorizuara duke i garantuar për sigurinë e tyre.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›