KSHH: Hartimi i Kodit të ri Zgjedhor të jetë më transparent
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka dërguar dje një letër dy bashkëkryetarëve të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafaj. Në këtë letër KSHH-ja shpreh shqetësimet për vonesat në hartimin dhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe veçanërisht nga dy bashkëkryetarët që të mundësojnë më shumë transparencë për publikun gjatë procesit të hartimit dhe miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. “Edhe në muajin shtator 2008 po hidhen hapa të ngadaltë. Megjithëse deri në fundin e këtij muaji mbeten 14 ditë nga përfundimi i mandatit të Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, nuk dihet konkretisht çfarë është bërë dhe çfarë mbetet për të bërë. Deklaratat se ne muajin shtator 2008 do të përfundojë reforma duken të nxituara.
KSHH nuk paragjykon aftësitë dhe kontributin e specialistëve të angazhuar në këtë komision, por siç dihet, për vonesat e këtij procesi, Komisioni është përgjegjës para Kuvendit. KSHH nuk paragjykon punën e Komisionit në tërësi, por tërheq vëmendjen fakti i një pune relativisht të mbyllur, jo transparente për publikun. Informacionet që jepen në media janë të cunguara dhe se çështjet kryesore nuk diskutohen në publik dhe media.
Duke pasur parasysh se Kodi Zgjedhor, për nga rëndësia e tij, vjen pas Kushtetutës së RSH-së, mungesa e transparencës dhe e debatit paraprak, gjithëpërfshirës mund të shoqërohet me vonesa të mëtejshme dhe me pasoja të dëmshme. Është e qartë se miratimi i Kodit Zgjedhor kërkon konsensus të gjerë. Pikërisht për këtë arsye, KSHH-ja mendon se ky konsensus duhet të ndihet dhe konkretizohet edhe gjatë procesit të punës së këtij Komisioni. Një gjë e tillë nuk ka rezultuar deri sot”, - thuhet në letrën e dërguar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
17 Shtator 2008