Balla: Të hetohet korrupsioni i qeverisë
Partia Socialiste vlerëson se Lulzim Basha ka për detyrim ligjor të dëshmojë në prokurori. Deputeti i socialistëve, Taulant Balla, theksoi dje se ministri aktual i Punëve të Jashtme duhet të paraqitet që sot në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo, me qëllim, sipas tij, dhënien e përgjigjeve për akuzat që rëndojnë mbi të lidhur me procedurat e rrugës Durrës-Kukës.
Basha
Balla vuri në dukje se edhe institucioni i Prokurorisë nuk po bën atë që duhet në investigimin e segmentit publik Durrës-Kukës. "Gatishmëria e zotit Basha për të shkuar në Prokurori do të jetë në varësi të axhendës së tij dhe në këtë mënyrë ai po mundohet të fshihet me mandatin e imunitetin e tij, duke e lënë angazhimin e tij para drejtësisë vetëm në varësi të axhendës së tij", tha Balla. Ai i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë jo vetëm këtë çështje, por edhe skandalet e tjera që kanë mbetur ende pa përgjigje. Sipas Ballës, kabineti "Berisha" do të mbahet mend si qeveria e korrupsionit patriotik. Ndërsa insistoi se Sali Berisha është përgjegjësi kryesor i rritjes së korrupsionit në vend. "Janë familjarët e Kryeministrit (vajza, djali, kunati, mbesa e gruas, burri i mbesës), ata që janë kthyer në aktorët kryesorë të korrupsionit në vend", konstatoi deputeti socialist. Ndërsa shtoi se qeveria, ministrat dhe deputetët e Berishës e kanë kthyer pushtetin në një byrek korrupsioni, ku secili po mundohet të vjedhë copën e vet. "Njëri ka marrë copën e tatimeve dhe të doganave. Familjarët e ministrave përvetësojnë tenderët publikë", sqaroi Balla. Duke iu referuar tenderit të certifikatave ai nënvizoi se është fituar nga bashkëshortja e një deputeti të djathtë. "Shqiptarëve i janë vjedhur 1 milion euro", insistoi Balla.
Hetimet
Deputeti i PS-së kujtoi se ende nuk është bërë e mundur që të hetohet dhe zbardhet afera e rrugës Durrës-Kukës. Një tjetër çështje, sqaroi ai, ka të bëjë me përfitimet e vëllait të ish-ministrit Ilir Rusmali në fondet publike. "Ndonëse dha dorëheqjen një ministër, nuk u zbardh para shqiptarëve ky skandal", tha Balla. Opozita ngul këmbë në faktin se kjo qeveri nuk ka vullnet për reforma. "Kjo qeveri po rrezikon aspiratën e shqiptarëve për integrim dhe anëtarësim në strukturat euroatlantike", u shpreh Balla. Ai u ndal edhe tek liberalizimi i vizave, çka e cilësoi një demagogji të qeverisë. "Ky është një proces marrjeje përgjegjësish për qeverinë shqiptare që nënkupton: sigurinë e kufijve shqiptarë, sigurinë e dokumenteve të identifikimit dhe parandalimin e trafikut ilegal", nënvizoi Balla. Ai konstatoi se qytetarët shqiptarë ndihen të zhgënjyer në dyert e ambasadave të huaja, sepse është pikërisht qeveria e vendit të vet ajo që vazhdon t‘i zhgënjejë. Balla iu referua edhe rastit të para pak ditëve, kur një biznesmen shqiptar grisi pasaportën në mënyrë demonstrative në shenjë proteste për refuzimin e vizës. Socialistët i bënë thirrje edhe konsullatave të huaja të akredituara në Tiranë të jenë më të kujdesshme ndaj këtyre kategorive të shoqërisë. Duke shtuar se është detyrim i qeverisë të garantojë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Në këtë linjë, tha ai, lë për të dëshiruar infrastruktura e dokumenteve të identitetit apo elementë të tjerë që kanë të bëjnë me sigurinë dhe vërtetësinë e dokumentacionit të identitetit.