Kodra: Qeveria është e papërgjegjshme
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësim për krizën e thellë ekonomike dhe pragun e kolapsit ekonomik që po përjeton Shqipëria. Nënkryetarja Filloreta Kodra vlerësoi se deklarata më e fundit e përfaqësueses së FMN-së ishte një dëshmi dramatike e papërgjegjshmërisë së qeverisë në raportet e saj edhe me FMN-në. "Është e qartë për këdo në Shqipëri se kjo qeveri nuk heziton të mashtrojë edhe FMN-në, vetëm për hir të qëndrimit të disa orëve apo disa ditëve më shumë në pushtet", tha Kodra. Sipas saj, është thënë e stërthënë publikisht se dyfishimi i borxhit publik të Shqipërisë dhe mosmarrja e masave kompensuese për balancimin e buxhetit, e fut ekonominë shqiptare në një rrugë pa zgjidhje dhe në kolaps të plotë. Ajo kujtoi se në të njëjtën formë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i është drejtuar mazhorancës së viteve ‘92-‘97 që qeverisej po nga PD-ja kur ajo lejoi "lulëzimin" e skemave piramidale. "Pasojat shkatërrimtare të asaj politike, shqiptarët i kanë të pashlyeshme në kujtesën e tyre", konstatoi Kodra. Duke këmbëngulur se shqetësimi i LSI-së merr një përmasë vërtet tronditëse, sepse pazotësia e qeverisë për të balancuar financat publike dhe keqqeverisja kanë shkaktuar një rritje galopante të inflacionit me të gjitha pasojat shkatërrimtare që shoqërojnë atë. Kodra u ndal edhe te rritja e shfrenuar e çmimeve, që sipas saj rëndon në mënyrë të shumëfishtë mbi qytetarët shqiptarë, veçanërisht mbi ato shtresa që përbëjnë realisht shumicën e shqiptarëve dhe që jetojnë me të ardhura shumë të pakta.