Bregu: Qeveria e vendosur, zero tolerancë ndaj korrupsionit
Zëdhënësja e qeverisë dhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka deklaruar dje në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, se qeveria është e vendosur t‘i qëndrojë angazhimit të saj për zero tolerancë ndaj korrupsionit. Gjatë një konference për shtyp, ajo ka deklaruar se nuk ka më monopole qeveritare, nuk ka më zyrtarë në konflikt interesi në asnjë nivel të qeverisjes qendrore dhe ka gjithnjë e më shumë para që shkojnë në arkën e shtetit dhe jo në xhepa zyrtarësh të korruptuar. Qeveria, tha Bregu, ka shpallur dhe do të vazhdojë t‘i qëndrojë angazhimit të saj për zero tolerancë korrupsionit dhe vetëm në 6 muajt e fundit janë çuar para drejtësisë mbi 30 zyrtarë të lartë. "Janë këto arritje që kanë ndryshuar vlerësimin për Shqipërinë. Indeksi i perceptimit të korrupsionit që publikon organizata prestigjioze Transparency International, instrument i pranuar botërisht si matësi më i përafërt për nivelin e korrupsionit në një vend, në dy vitet e qeverisjes demokratike ka njohur një përmirësim të dukshëm", tha ajo. Por, ka theksuar zëdhënësja e qeverisë, ne jemi të ndërgjegjshëm se Shqipëria është vendi që përballet ende fuqishëm me ekzistencën e këtij problemi madhor, por është edhe vendi i luftës së sigurt kundër korrupsionit. Qytetarët janë gjithnjë e më tepër të bindur se kjo qeveri do të vazhdojë luftën pa kompromis. Nga viti 2006 në vitin 2007 është përgjysmuar mosbesimi ndaj masave të qeverisë. Në emër të qeverisë ajo ka ftuar të gjithë qytetarët dhe institucionet e këtij vendi të bashkëpunojnë në zhdukjen e këtij fenomeni rrënues për të gjithë shoqërinë. Ndërsa kritikat e opozitës Bregu i ka vlerësuar si shprehje e ndërgjegjësimit të të gjithëve për çështjen e korrupsionit.