E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarët e komisionit hetimor Durrës-Kukës, inspektim në rrugë

Anëtarët e komisionit hetimor për tenderët e rrugës Durrës-Kukës, këtë javë do të shkojnë të inspektojnë punimet e kësaj rruge. Propozimi është bërë nga anëtarët e mazhorancës në komisionin hetimor, por që ka gjetur mbështetjen edhe te deputetët e opozitës, anëtarë të këtij komisioni. Prej më shumë se një muaji Kuvendi ka miratuar ngritjen e një komisioni hetimor për tenderët e rrugës Durrës-Kukës. Komisioni është kërkuar nga mazhoranca pas akuzave të opozitës, se janë bërë abuzime me fondet e kësaj rruge. Deri më tani, komisioni është mbledhur vetëm tri herë. Në mbledhjen e fundit, nënkryetari i këtij komisioni, Arben Isaraj, paraqiti kërkesat e opozitës për dokumentet që duhet t‘u vihen në dispozicion për ta vijuar punën më tej komisioni. Propozimet e Isarajt u depozituan në sekretarinë e komisionit dhe tashmë pritet përgjigjja nga institucionet përkatëse. Deri më tani duket se nuk është bërë asgjë konkrete, pasi komisioni nuk është mbledhur më. Rruga Durrës-Kukës është një ndër rrugët më të përfolura kohët e fundit, e cila ka vënë në shënjestër të akuzave edhe ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, për zbulime me tendera dhe po kështu janë bërë edhe disa arrestime të bujshme të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Transporteve, duke filluar nga ish-zëvendësministri deri te drejtorët e drejtorive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›