E Diel, 1 Nëntor 2026

ZMQ: Reforma në drejtësi nis nga gjykata dhe prokuroria

Në ditën ndërkombëtare të antikorrupsionit, kryefjala e të gjitha takimeve dhe prononcimeve ka qenë reforma në sistemin e drejtësisë. Reformë e cila duhet të nisë nga trupa gjyqësore dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ky shqetësim është ngritur e diskutuar dje edhe nga koalicioni shqiptar kundër korrupsionit dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, të cilët në tryezën e përbashkët kanë theksuar se korrupsioni në vendin tonë sa vjen dhe rritet. Në raportin e fundit të Transparency Internacional theksohet se sektori i drejtësisë sërish mbetet një nga sektorët më të korruptuar. Në takimin e djeshëm, drejtori ekzekutiv i ZMQ-së, Aldo Shala, tha se "drejtësia nuk paraqitet një ndër sektorët më të korruptuar të shtetit shqiptar, por është sektori më i korruptuar. Nëse në sektorin e shëndetësisë janë njerëzit që ofrojnë para, në drejtësi jemi në raporte të kundërta, sepse janë anëtarët e drejtësisë shqiptarë, trupa gjyqësore që u kërkojnë para njerëzve për t‘iu dhënë të drejtë. Pra, pallatet e drejtësisë shqiptare nuk janë më pallate drejtësie, por janë supermarkete ku nuk fitohet dhe nuk jepet më e drejta, por kjo e drejtë shitet dhe blihet. Shqiptarët duhet të mësohen që ta fitojnë të drejtën dhe jo ta blejnë atë". Sipas tij, reforma nuk duhet të fokusohet te sistemi i drejtësisë, pasi ky sistem përbëhet dhe zbatohet nga njerëzit. Reforma duhet të kryhet në trupën gjyqësore dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, te njerëzit që e zbatojnë ligjin. Gjithashtu, ai ka theksuar se reforma në sistemin e drejtësisë duhet të jetë një nga shqetësimet kryesore të shoqërisë shqiptare, pasi drejtësia është shkalla e fundit ku mund të drejtohen njerëzit për të fituar të drejtat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›