Agron Tufa: Letërsia e pas ‘90-ës, dinjitoze
TIRANE- Dje Agron Tufa u shpall fitues i "çmimit të Madh të Letërsisë" për librin "Thembra e Akcilit", për stilin postmodern, për risinë e zhanrit të miniaturës, për çlirimin e gjuhës nga klishetë dhe për nivele të larta të shkrimit të shqipes. Pas marrjes së trofeut si më i miri i 2009-ës, por edhe pas vlerësimit për letërsinë e tij në tërësi, në një intervistë për gazetën, ai nxjerr në pah vlerat e letërsisë shqipe, flet për veprën e tij, por edhe deklaron se letërsia shqipe ka maja, por jo alpinistë.Si ndjeheni pas vlerësimit me "çmimin e madh të letërsisë"? çmimi i madh jepet për tërësinë e veprës së një shkrimtari, për koherencën, qëndrueshmërinë dhe promovimin e vlerave krejtësisht të veçanta. Unë nuk e kam parë asnjëherë letërsinë time të kushtëzuar nga çmimet, pavarësisht se kam marrë çmime, kryesisht jashtë Shqipërisë. Ky çmim më jep besim tek letërsia, tek ajo e cila unë kam investuar që në moshën 7-vjeçare. Përveç jurisë, unë dua të falenderoj edhe gjuhën shqipe, sepse unë jam produkt i saj, sepse shkrimtari dhe poeti janë një instrument i gjuhës në të cilën shkruajnë. Më jep kurajë çmimi.Cilës pjesë së krijimtarisë suaj ia dedikoni këtë çmim?Krijimtaria e një shkrimtari, kur i jepet një çmim i tillë, duhet të paraqesë figurativisht një vijë të pandërprerë të të gjitha veprave, në poezi, në prozë, madje edhe në fushën e përkthimeve artistike. Unë shkruaj në disa zhanre, por besoj se produkti letrar më i koncentruar ka ardhur pas viteve 2000, si "Fryma mbi ujëra" dhe romanet "Dueli", "Mërkuna e zezë", "Tenxherja", dhe libri me ese "Janusi 100 fytyrësh", është edhe libri me proza të shkurtra "Thembra e Akcilit", i cili u theksua fort për stilistikën në të cilën është shkruar. Këtë vit unë kisha dy romane tek "Botimet Toena". ç'do të thotë ky çmim?'Tenxherja' ka qenë krijimi im i fundit, projektet janë të mëdha e të shpërndara sipas kohës, por do të kenë kohën e kurorëzimit, janë të paktën 12 vepra të shpërndara nga vitet nga 1996 e këtej. Një shkrimtar që boton 12 libra origjinalë, pa llogaritur botimet e tjera, besoj se ka kaluar kohën e konfirmimit, dhe me kaq mund të bëhet portreti i një krijuesi. Jam i lumtur që vëmendja u drejtua tek unë, por edhe tek brezi i shkrimtarëve të pas viteve '90. është një letërsi që mund të quhet më dinjitoze, gjykuar në krahasime dhe me kulturat europiane. është vonuar shumë në promovimin e vlerave ose është anashkaluar. Do të doja që ky çmim të shërbejë si orientim për vëllezërit e mi të pas '90-ës.Si e shihni letërsinë sot?Letërsia shqiptare është drejt një bumi të madh me shumë emra. Shkrimtarët e pas viteve '90 me vështirësi kanë dalë në treg, dhe është krijuar ideja se nuk ka shumë letërsi shqipe. Më kanë pyetur shpesh se, përse nuk ka maja në letërsinë shqipe, e unë jam përgjigjur gjithnjë, që ka maja, por nuk ka alpinistë. Letërsinë e kam ndjekur nga afër dhe shumë, dhe nuk është më e varfër se letërsitë e tjera nacionale në Europë. Nuk duhet paragjykuar letërsia, por duhet ulur për ta lexuar. (GSH/balkanWeb)