Bora pushton zonat malore, dhjetëra fshatra izolohen
Megjithëse të reshurat e borës janë ndërprerë, problem mbetet akulli, çka i ka bërë shumë rrugë të pa kalueshme.Në rrethin e Kukësit, të bllokuara janë komunat e Arrënit, Zapodit, Grykë Çajës, etj. Temperatura në këto komuna ka shënuar nivele të ulëta, duke zbritur nën zero. Edhe në Dibër, dhjetëra fshatra janë të izoluara, megjithëse reshjet e borës kanë pushuar tashmë. Madje, në një fshat të komunës Tërnovë, trashësia e dëborës ka arritur në 1.5 metër. Duke lëvizur për në pjesën tjetër të zonave qendrore, situata është më e përmirësuar. Kështu në Pukë dhe në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse të këtij qytetit, lëvizjet e automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Disa fshatra në Mirditë, janë izoluar jo nga bora, por nga lumi Fan, rrëmbimi i të cilit ka bërë që të shembet dy ura lidhëse me fshatrat. Reshjet e dëborës që ranë gjatë natës dhe në mëngjesin e sotëm dhe temperaturat shumë të ulëta e kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në rrugët kombëtare dhe rurale në rajonin e Korçës. Burime nga drejtoria Rajonale e Mirëmbajtjes së rrugëve nacionale në Korçë, nënë të ditur se në Qafën e Thanës, në Qafën e Qarrit dhe Kapshticë ku ka patur më shumë reshje dëbore, mjetet borëpastruese kanë punuar që herët në mëngjes dhe rrugët janë të kalueshme. Për shkak të temperaturave shumë të ulëta rrugët në këtë rajon janë kriposur. Në akset rrugore Korçë-Ersekë, Korçë-Kapshticë dhe Lin-Qafë Thanë automjetet duhet të qarkullojnë vetëm me zinxhirë. Ndërkaq, Policia e qarkullimit rrugor po patrullon akset rrugore të rrugëve kombëtare dhe nuk lejon lëvizjen e automjeteve pa zinxhirë. Më problematike janë akset rrugore Korçë-Dardhë dhe Korçë -Voskopojë ku trashësia e dëborës së rënë i kalon 50 cm. Megjithatë në këto rrugë pasi kanë punuar mjetet borëpastruese, ato janë të kalueshme nga automjetet vetëm me zinxhirë. Sipas shërbimit sinoptik të Komandës Ushtarake Mbrojtëse në Korçë, temperatura gjatë natës ka qenë minus 7 gradë celsius ndërsa gjatë ditës, minus 1 gradë celsius.