E Diel, 1 Nëntor 2026

Aguero: Më kërkon Juve, por po mendoj për Coppa America

ARGJENTINË- Ndërsa ndodhet në Argjentinë për Coppa America, Serxhio Aguero është në qendër të vëmendjes së merkatos europiane. Sulmuesi i Atletikos së Madridit kërkohet me ngulm nga disa klube, por sidomos Juventusi dhe Mançester Siti. Beteja duket tepër e fortë, pasi bëhet fjalë për një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim.

Por, vetë Aguero duket e ka bërë zgjedhjen e tij, teksa që nga Amerika e Jugut është shprehur se e ardhmja e tij do të jetë me shumë mundësi te Juventusi. “Që kur jam larguar nga Spanja të gjithë flasin për ofertën e Juventusit dhe agjenti im është duke diskutuar. Di që Juventusi ofron 30, 35 apo 40 milionë euro, megjithatë vendimi i takon Atletikos së Madridit. Di që ata po diskutojnë edhe me klubet e tjera, por unë për momentin jam larg këtyre bisedimeve dhe jam i fokusuar në ekipin kombëtar”, u shpreh Aguero.

Problemi më i madh në bisedimet mes Atletikos së Madridit dhe klubit torinez, është ana financiare. Juventus ofron 35 milionë euro, ndërsa spanjollët nuk e lëshojnë pa 40 milionë talentin e tyre. Me marrjen e tij, Juventusi do t’i jepte një hov cilësor repartit më problematik të viteve të fundit, atij sulmues.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›