Ahmadinexhad: “Irani tani është shtet bërthamor”
Autori i Lajmit: RedaksiaTeheran – “Tani Irani është një vend bërthamor”. E ka pohuar vetë Presidenti Iranian, Mahmoud Ahmadinexhad, gjatë përkujtimit të 31-vjetorit të Revolucionit Islamik. “Pasurimi i paketës së parë të uraniumit të pasuruar me 20 për qind ka përfunduar në impiantin e Natanzit”, - tha Presidenti Iranian. “Ajo çka i trembej Amerika tashmë ka ndodhur. Ndërkohë tre manifestues kanë mbetur të vrarë në përleshjet me militantët basiji. Lajmi bëhet i ditur në “twitter”. Sipas burimit, të vdekurit janë një vajzë 27- vjeçare dhe dy meshkuj, në zona të ndryshme të Teheranit. Uebsajtet e opozitës iraniane thonë se forcat e sigurisë u përplasën me protestuesit, ndërkohë që turmat vërshuan në qendër të Teheranit për të shënuar Ditën e Revolucionit. Televizioni shtetëror tregoi qindra mijë njerëz, disa prej të cilëve mbanin flamuj iranianë dhe fotografi të Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, duke shëtitur në sheshin Azadi (liria) Square në qendër të kryeqytetit. Presidenti Mahmoud Ahmadinexhad i tha turmës së përkrahësve të qeverisë se Irani ka arritur prodhimin e parë të uraniumit të pasuruar, çka shton shqetësimin perëndimor për ambiciet bërthamore. Uebsajti i opozitës, Zëri i Blertë i Iranit, tha se forcat e sigurisë hapën zjarr dhe përdorën gaz lotsjellës kundër përkrahësve të liderit të opozitës, Mirhossein Mousavi, që ndodhej mes protestuesve të tubuar në qendër të kryeqytetit. Ndërsa uebsajti tjetër i opozitës Jaras, tha se forcat e sigurisë goditën një tjetër lider opozitar, Mehdi Karoubi, dhe ish- presidentin e moderuar, Mohammad Khatami, kur ata morën pjesë në tubim. Jaras tha se forcat e sigurisë ndalën për pak kohë mbesën e liderit të ndjerë revolucionar, Ayatollah Ruhollah Khomeini, dhe të shoqin e saj. Edhe djali i Karoubit u ndalua, shkruan Jaras, që raporton se një numër i madh protestuesish janë arrestuar. Tubimet opozitare vazhdojnë edhe në qytetet e tjera të mëdha të Iranit. Lajmet nuk mund të verifikohen nga vetë media, sepse gazetarët që punojnë për mediat e huaja, u shoqëruan në sheshin Azadi dhe nuk janë të lirë të pasqyrojnë tubimet e opozitës. Asnjëra palë nuk ka dhënë shenja kompromisi në tetë muajt që nga zhvillimi i zgjedhjeve të dyshimta presidenciale të qershorit, të cilat opozita ka kërkuar të përsëriten. Irani përballet me krizën më të rëndë të brendshme prej dekadash, ndërkohë që përkrahja ndaj opozitës shtohet. Por Irani përballet dhe me thirrjet e Perëndimit për një ashpërsim të ri të sanksioneve pasi Ahmadinexhad këtë javë urdhëroi fillimin e prodhimit të uranit të pasuruar në shkallë të lartë. Ai tha se së afërmi do të trefishohet prodhimi. Izraeli e shikon programin bërthamor të Iranit si një kërcënim ndaj ekzistencës së tij dhe nuk e ka përjashtuar veprimin ushtarak nëse diplomacia dështon të zgjidhë çështjen e uraniumit të pasuruar. Përballë një situate të tillë, presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinexhad, ka kërcënuar Izraelin. "Do të shkatërrojmë Izraelin nëse do të sulmohemi nga sionistët". Ai e ka bërë këtë deklaratë gjatë një bisede telefonike me homologun e tij sirian, Bashar al-Assad. Ahmadinexhad ka thënë se ka informacione se regjimi sionist po kërkon një mënyrë për të kompensuar situatën në Gazë e Liban, por Irani do të qëndrojë fort. Televizioni shtetëror i Iranit ka bërë një dokumentar në lidhje me Neda Agha Soltanin, e cila ishte qëlluar për vdekje gjatë trazirave paszgjedhore, qershorin e vitit të kaluar. Dokumentari pohon se Neda ishte një agjente e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, e cila, siç thuhet, kishte inskenuar vetë vdekjen. Momentet e fundit të jetës së saj ishin filmuar nga një telefon celular dhe parë nga miliona njerëz në mbarë botën. Në dokumentar thuhet se filmimet e vdekjes së Nedës paraqesin atë duke derdhur gjak në fytyrë, nga një shishe e veçantë që mbante. Dokumentari njëkohësisht supozon se 27-vjeçarja Neda, më pas, ishte qëlluar për vdekje në makinën me të cilën po dërgohej në spital. Kjo teori konspiracioni, e cila supozohet në dokumentar, përputhet me komentet e zyrtarëve iranianë, të cilët në vazhdimësi kanë pohuar se vdekja e Nedës ishte "e dyshimtë" dhe, në të njëjtën kohë, "një skenar me paramendim" për të diskredituar Iranin. Neda dhe mijëra mbështetës të opozitës ishin mbledhur në qendër të Teheranit, për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, të cilat nxorën fitues kandidatin në pushtet, Mahmud Ahmadinexhad. Atë ditë, të paktën 10 njerëz u raportuan të vrarë dhe mbi 100 të plagosur, pas përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Por, përshkruhen si të paharrueshme pamjet e vdekjes së Nedës. Ato u postuan në Youtube dhe u panë nga miliona njerëz. Brenda pak orëve, Neda u bë ikonë e lëvizjes së protestave, të cilat zhytën Republikën Islamike në krizën më të keqe ndonjëherë. Emri "Neda" u bë i njohur në mbarë botën, ashtu sikurse edhe fotografitë e saj, të cilat shfaqeshin në protestat e Lëvizjes së Gjelbër opozitare, anëtarët e së cilës janë zotuar të mbajnë gjallë kujtimin e saj. Vdekja e Nedës po ashtu ka rezultuar të jetë një çështje shumë e ndjeshme për establishmentin islamik.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010