Pak: Rouçek u keqkuptua, jo hapje kutish
Autori i Lajmit: RedaksiaDeklaratat e drejtuesve të së majtës në Parlamentin Evropian, pas takimeve me zotin Rama, kanë sjellë reagimin e kolegëve të tyre të së djathtës. Ish-kryetarja e Delegacionit te Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Doris Pak, ka lëshuar një deklaratë nga Strasburgu, e cila është shpërndarë në Tiranë nga Kuvendi i Shqipërisë. Në këtë deklaratë, zonja Pak, e grupimit të qëndrës së djathtë në PE, thotë se ka biseduar me zëvendëspresidentin e Parlamentit, Libor Rouçek për polemikat e fundit rreth zgjedhjeve në Shqipëri. “Unë fola me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, zotin Libor Rouçek, këtë mëngjes dhe atij i ka ardhur shumë keq që deklarata e tij është keqcituar”, - deklaron ajo. Pak shton se Parlamenti Evropian dha një përgjigje shumë të qartë me votën e tij për situatën në Shqipëri, kur miratoi raportin për strategjinë e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian më 29 nëntor 2009. “Në pikën 27 të raportit (dokumenti me numër P7_TA(2009)0097) Parlamenti Evropian vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria që prej raportit të fundit dhe në veçanti, procesin e lëshimit të kartave të identitetit dhe përmirësimet në kuadrin ligjor dhe administrativ të procesit zgjedhor, ashtu siç u shfaq dhe në zgjedhjet e shkuara parlamentare, i bën thirrje opozitës ti japë fund bojkotit të Parlamentit dhe të kryejë detyrën për të përfaqësuar votuesit e saj në Parlament; u bën thirrje opozitës dhe qeverisë që të gjejnë një bazë të përbashkët për të çuar deri në fund zgjedhjet e fundit në Parlament; kujton se Shqipëria ka aplikuar për marrjen e anëtarësisë në Bashkimin Evropian dhe se Këshilli ka marrë vendimin për të ftuar komisionin që të përgatisë mendimin e tij për këtë aplikim; inkurajon autoritetet shqiptare që të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën drejt reformave të progresit ekonomik dhe social të qytetarëve të saj, në mënyrë që vendi të përparojë në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, - deklaron ajo. Pak sqaron më tej se në përputhje me rezolutën dhe duke pasqyruar shumicën në Parlamentin Evropian, Rouçek i kërkoi zotit Rama që ti japë fund bojkotit të Parlamentit. “Duke marrë parasysh rezultatet, nuk i takon Qeverisë që të hapë kutitë e zgjedhjeve, por ajo është detyrë e gjykatave. Prandaj, çdo ankesë e zotit Rama në lidhje me përmbajtjen e kutive të votimit duhet ti drejtohet gjykatave kompetente. Sidoqoftë, duke qenë se dhe vetë vëzhguesit socialistë në zgjedhjet e qershorit 2009, rezultatet e së cilave u njohën nga vëzhguesit ndërkombëtarë, nuk e kundërshtuan procesin e numërimit të votave dhe zotit Rama dhe kolegëve të tij duhet ti këshillohet të bëjë atë që i ka kërkuar Parlamenti Evropian që vitin e shkuar, kthim në Parlament dhe nisjen e punës në dobi të popullit shqiptar. Veprimet e socialistëve po përkeqësojnë imazhin e Shqipërisë, duke rrezikuar kështu liberalizmin e vizave”, - përfundon deklarata e saj. Tw tw njwjtwn linjw wshtw shprehur dhe kryetari i deputetwve “Populli i Lirisw”, nw Parlamentin Evropian, Mario Mauro.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010