Ilir Yzeiri: “Berisha mjeshtër për të mashtruar Ramën dhe ndërkombëtarët”
Autori i Lajmit: S. TopiIlir Yzeiri, analist
“Berisha mjeshtër për të mashtruar Ramën dhe ndërkombëtarët”
Ndërkombëtarët vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Zëvendëspresidenti i PE-së, Rouçek, gjatë një takimi të zhvilluar me zotin Rama dha si alternativë të mundshme zgjidhjeje dhe hapjen e pjesshme të kutive. Si e shikoni këtë variant?
Në pamje të parë, të krijohet përshtypja se edhe ndërkombëtarët duket se janë të ndarë në opinione ashtu si forcat politike në Shqipëri, pra të majtët evropianë ngjan sikur mbështesin socialistët tanë dhe të djathtët janë më të kursyer ose, për të qenë më të saktë, nuk mbërrijnë deri aty sa të shprehen qartë dhe hapur se hetimi i zgjedhjeve duhet të shkojë deri aty sa të hapen edhe kutitë e votimit. Natyrisht, ky është një perceptim i jashtëm dhe tipik shqiptar apo ballkanik, pa fshehur ndërkaq edhe idenë se edhe mes të majtëve e të djathtëve evropianë ka dallime. Mirëpo le të kthehemi edhe një herë të çështja jonë. Është e vërtetë që ndërkombëtarët, nga dita në ditë, po i përafrojnë qëndrimet e tyre me ato të opozitës, është e vërtetë gjithashtu se aksioni politik i kësaj të fundit ka filluar të japë frytet e para. Por të mos harrojmë se përballë është Berisha, i cili do të këmbëngulë deri në fund që kutitë të mos hapen. Në këtë rast dua të hap një parantezë. Berisha nuk është më aq trim sa çu tregua në vitin 1996. Ai tani është gati që të bëjë gjithçka, madje të shesë edhe gjysmën e Shqipërisë, mjaft që të rrijë në pushtet, kështu që nuk është çudi që, përballë presionit për të hapur kutitë, Berisha të bëjë ndonjë lëshim që të na lërë të gjithëve me gojën hapur. Në përfundim, Berisha mund të pranojë sa për sy e faqe dhe pastaj mund të dalë me ndonjë plan të dytë, që të mos e çojë kurrë deri në fund hetimin e zgjedhjeve, pra kutitë të “bëjnë sikur të hapen”, por në të vërtetë të mos hapen. Ai është mjeshtër për ta mashtruar Edi Ramën dhe ndërkombëtarët gjithashtu. Mos harroni se si e mashtroi Ramën me amendamentet kushtetuese dhe me kodin.
Një tjetër mundësi që duket se mund të gjejë dhe mbështetjen e demokratëve është hapja e kutive, por hetimi vetëm i materialeve zgjedhore dhe jo i fletëve të votimit. Mund të jetë kjo zgjidhje?
Është brenda asaj logjikës që përmenda më lart. Është cic-mic që mund të provokojë gjithçka, por jo transparencë dhe hetim të ndershëm të zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si alternativa e mundshme e fundit të tryezës së thirrur nga presidenti Topi?
Është folur shumë për to dhe unë mendoj se vetëm ato mund të jenë zgjidhja e vetme. Por të mos harrojmë se shpallja e tyre do të thotë një betejë tjetër ndoshta më e madhe se ato të zhvilluara deri tani, politike, natyrisht. Këtu më duhet të shtoj se njeriu që mund të luajë një rol kyç në këtë histori është Bamir Topi. Berisha ka nxjerrë nga dhomat e errëta të nënvetëdijes të gjitha paranojat dhe ka hedhur në sulm të gjithë dhe të gjitha. Nxori Fatos Nanon dhe e shëtit sa nga njëri televizion në tjetrin si ato vejushat që duan të gjejnë fatin, pasi burri u ka humbur në kurbet. Karshillëku që i bën Berisha Topit është açik. Nëse nuk anon nga unë, Fatosi do të bëhet dhëndërr për herë të tretë, por këtë radhë në Kodrën e Saukut. Bamir Topi duket se është njeriu më pa të ardhme. Atij i fanitet besoj figura e ish-presidentëve Meidani apo Moisiu që e shtyjnë ditën sa në një kafe, në një konferencë. Ndaj Bamir Topi ka rastin e artë që ti tregojë Berishës se di të bëjë politikë. Ai duhet të ndihet se është në anën e hetimit të plotë dhe të thellë të zgjedhjeve, ai duhet ti japë një mesazh të qartë Berishës se PD-ja nuk është vetëm pronë e Saliut, se, pas përfundimit të mandatit si president, ai mund ta riformatojë PD-në. Ndaj zgjidhje ideale do të ishte që Topi, më në fund, të anonte nga ideja e hapjes së kutive. Kështu, Berisha do të mbetej me të vërtetë vetëm.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010