Tryeza, Topi konsultohet përsëri me kreun e OSBE-së
Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i Republikës Bamir Topi vijoi përsëri dje takimet me përfaqësues ndërkombetar të akredituar në Tiranë. Zyra e presidencës informon se takimi i presidentit Topi me shefin e presidencës së OSBE-së Robert Bosh është bërë në kuadër të konsultimeve që Kreu i shtetit po zhvillon në prag të tryezës politike së të shtunës. Në takim thuhet se presidenti Topi falenderoi mbështetjen që OSBE-së ka dhënë në lidhje me tryezën politike si dhe për të gjithë asistencën që ka luajtur në fusha të ndryshme. “Kreu i shtetit shqiptar pasi e falenderoi Ambasadorin Bosh për deklaratën e djeshme mbështetëse ndaj rolit dhe tryezës politike të thirrur nga Presidenti, vlerësoi si shumë të frutshëm e të vlefshëm rolin dhe asistencën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, - njofton Presidenca. Nga ana e tij ambasadori Bosh ka shprehur edhe njëherë vlerësimin për rolin e Presidentit Topi duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010