E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezart Xhaxhiu: “Zgjedhje të parakohshme kërkojnë kryetarët që kanë dalë në pension”

Autori i Lajmit: S.TRezart Xhaxhiu, drejtues i emisionit “Zip”
“Zgjedhje të parakohshme kërkojnë kryetarët që kanë dalë në pension”

Ndërkombëtarët vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Zëvendëspresidenti i PE-së, Rouçek, gjatë një takimi të zhvilluar me zotin Rama dha si alternativë të mundshme zgjidhjeje dhe hapjen e pjesshme të kutive. Si e shikoni këtë variant?
Së pari, këto deklarata i shikoj në optikën e shqetësimit të ndërkombëtarëve për sa i përket krizës politike shqiptare. Është ajo çfarë socialistët kanë kërkuar që në krye të herës. Pra ndërkombëtarizimin e kësaj krize. Dhe jo më kot Arta Dade dhe dërgata e saj zbritën në Strasburg në fund të janarit gjatë sesionit të Asamblesë Parlamentare të KE. Jo më kot Edi Rama ndërmori turin e tij po në Strasburg dy ditë më parë. Për sa u përket deklaratave të Rouçek dhe Svobodës kini parasysh se ato bëhen nga anëtarë të së njëjtës familje pra të familjes socialdemokrate, e cila duket se kërkon ti gjendet në krah anëtarit të saj të vogël në këto momente të vështira. Në lidhje me variantet e tyre mundet që ai i Rouçek të jetë më i pranishëm në tryezën e së nesërmes mes palëve. Pra përmes formulës së hapjes së kutive në një përqindje të vogël të tyre, kryesisht në zonat e kontestuara, por edhe më gjerë, të cilat do të caktohen përmes një shorti. Sigurisht nuk bëhet fjalë për rinumërim të fletëve të votimit se sa një shikim i detajuar i dokumentacionit bazë që shoqëron kutitë. Unë mendoj se një variant i tillë do të nxjerrë të plotë gjithë problematikën e zgjedhjeve, çka do të çojë më pas në korrigjimet përkatëse qofshin ligjore apo organizative. Në fakt edhe opozita duket se një gjë të tillë kërkon pra të shkojë drejt zgjedhjeve të 2011 me një kuadër të ri ligjor për organizimin e zgjedhjeve dhe të gjithë superstrukturës së tyre.
Një tjetër mundësi që duket se mund të gjejë dhe mbështetjen e demokratëve është hapja e kutive, por hetimi vetëm i materialeve zgjedhore dhe jo i fletëve të votimit. Mund të jetë kjo zgjidhje?
Sigurisht, kur themi hapje të kutive nuk kuptojmë këtu rinumërimin fletë për fletë, por më shumë kalimin në lupë të materialeve zgjedhore: procesverbalet, vërejtjet, firmat, të cilat vetëm nën vëzhgimin skrupuloz të një komisioni do të mund të nxirrnin në dritë të gjitha pisllëqet dhe horllëqet që mund të jenë bërë dhe që janë dyllosur në çdo kuti votimi. Nga kjo mund të kalohet më pas në veprime e qëndrime konkrete të palëve. Njëra mund të jetë penalizimi i atyre komisionarëve, qoftë të majtë e të djathtë, që mund të kenë shkelur ligjin duke futur duart në zgjedhje, sikundër e kanë bërë prej 20 vitesh me radhë dhe që nuk u ka hyrë gjemb në këmbë. Një variant i tillë nuk do të ketë efekte juridike mbi rezultatin e zgjedhjeve të 28 Qershorit, por do të nxjerrë në dritë të diellit atë që mund të jetë gatuar brenda çdo kutie dhe që më pas do të duhen të nxirren mësime e të rregullohet më tej legjislacioni zgjedhor.
Zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si alternativa e mundshme e fundit të tryezës së thirrur nga presidenti Topi?
Nuk më duket si një opsion që mund të pranohet lehtë nga Berisha dhe të tijtë. Nëse e vëreni, kërkesën për zgjedhje të parakohshme e trumbetojnë me të madhe disa parti të vogla kryetarët e të cilave kanë dalë në pension të parakohshëm politik. Por duke njohur Berishën dhe filozofinë e tij të moslëshimit kollaj të pushtetit, vështirë se një opsion i tillë do të fitojë terren në tryezën e Topit ose më pas. Berisha mbetet një mjeshtër i lojërave politike dhe i zgjidhjeve të vështira në minutën e fundit, gjithnjë duke arritur të përfitojë diçka për oborrin e tij. Besoj se edhe këtë herë ai do të luajë fort për të mos e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Sigurisht, Berisha ndodhet përpara disa rebuseve për ti zgjidhur, derisa të arrijë të fitojë kohë për të lëshuar më pas disa kompromise në drejtim të opozitës.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›