E Diel, 1 Nëntor 2026

Sami Neza: “Më mirë zgjedhje të parakohshme se hapje kutish”

Autori i Lajmit: S.TSami Neza, kryeredaktor i gazetës “Standard”
“Më mirë zgjedhje të parakohshme se hapje kutish”

Ndërkombëtarët vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Zëvendëspresidenti i PE-së, Rouçek, gjatë një takimi të zhvilluar me zotin Rama dha si alternativë të mundshme zgjidhjeje dhe hapjen e pjesshme të kutive. Si e shikoni këtë variant?
Në të gjitha takimet e Ramës në Bruksel ka pasur një mesazh të qartë për ngërçin: ndërprerjen e bojkotit dhe sigurimin transparencës së zgjedhjeve. Dy eurodeputetë janë shprehur edhe për mundësinë e hapjes së kutive të votimit, pas takimit me Ramën. Mund të ketë ndodhur kështu, pasi ata e kanë marrë si të mirëqenë e ligjore kërkesën e Ramës për hapjen e kutive. Nëse në atë takim do të kishte pasur ndonjë përfaqësues të mazhorancës, me siguri që sugjerime të tilla nuk do të ishin shqiptuar. Parlamenti Evropian ka rreth 736 deputetë, të cilët përfaqësojnë rreth 500 milionë qytetarë, por vetëm katër-pesë prej tyre mund të konsiderohen si njohës të realiteteve korente të Shqipërisë ku jetojnë më pak se 0.5 për qind e evropianëve. Të paktën, Rouçek nuk është në këtë grup. Nuk duhet harruar se Parlamenti Evropian ka kaluar një rezolutë për ngërçin politik në Shqipëri ku kërkon ruajtjen e pavarësisë së pushteteve. Dhe ajo është një bazë e mirë prej ku mund të nisesh për të njohur më qartë pozicionin e PE ndaj bojkotit të opozitës.
Një tjetër mundësi që duket se mund të gjejë dhe mbështetjen e demokratëve është hapja e kutive, por hetimi vetëm i materialeve zgjedhore dhe jo i fletëve të votimit. Mund të jetë kjo zgjidhje?
Nuk përjashtoj në këtë moment asnjë zgjidhje të mundshme, aq më pak që kësaj here zgjidhjet janë vështirë të parashikueshme për shkak të absurdit që mbart kërkesa e Ramës. Por nëse zgjidhja do të jetë përmes hapjes së kutive, atëherë ajo godet pavarësinë e pushtetit ligjor në vend dhe hap një precedent të rëndë ku përparësi merr hamendja. Mjafton një hamendje për të vënë në lëvizje struktura hetimore parlamentare ose joparlamentare. Kjo është diktatoriale. Vetëm në diktaturë hamendja vinte në lëvizje strukturat, projektoheshin viktimat dhe xhelatët.
Pyetja juaj merr në konsideratë hapjen e kutive dhe jo rinumërim. Por edhe në këtë rast cenohet vendimi i gjykatës. Vendimi i gjykatës mund të atakohet vetëm nga prokurori dhe as Berisha, as Rama, nuk janë prokurorë.
Zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si alternativa e mundshme e fundit të tryezës së thirrur nga presidenti Topi?
Kjo do të ishte një zgjidhje më e ndershme se hapja e kutive, por jo zgjidhja më e mirë.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›