E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi XXII, takim i veçantë për qëndrimin ndaj Shqipërisë

Autori i Lajmit: Androkli DraloMoskë, 16 tetor 1961 – Me slogane që bënin thirrje për miqësi me Perëndimin, Partia Komuniste Sovjetike do të mblidhet ditën e martë për të nënshkruar një program të ri të paracaktuar që ta bëjë Bashkimin Sovjetik fuqinë më të madhe në botë. Sekretari i Parë i Partisë, Nikita S. Hrushov, pritet ta çelë Kongresin e 22-të të Partisë me një fjalim ku do të prezantojë programin, i cili rishfaq edhe një herë tjetër planin e tij për mposhtjen e kapitalizmit deri në vitin 1980. Plani i udhëheqësit sovjetik parashikon hapa gjigantë në prodhimin industrial dhe bujqësor dhe një jetë më të mirë për popullin rus, me më shumë ushqime, veshmbathje dhe shërbime pa pagesë. Mbledhja e Kongresit pritet të zgjasë të paktën 10 ditë dhe ka sjellë në Moskë udhëheqësit më të rëndësishëm komunistë nga të gjitha partitë e botës. Nikita S. Hrushovi duket se do ta përdorë këtë kongres për dy qëllime: Ti japë popullit sovjetik një tablo të shkurtër të bollëkut që do të ketë vendi në dy dekadat e ardhshme nën planin 20-vjeçar të zhvillimit, dhe për tu demonstruar njëherë e përgjithmonë se pasojat e sundimit 30-vjeçar të Stalinit dhe kulti i tij i personit janë çrrënjosur nga jeta e këtij vendi.

Çu En Lai në qendër të vëmendjes

Kryeministri kinez, Çu En Lai, pritet të përfaqësojë Kinën e Kuqe në këtë kongres, ndërsa është vënë në qendër të vëmendjes diplomatike. Ai u prit nga vetë Hrushovi në aeroport, madje ky i fundit nuk ka takuar tjetër delegat deri në këto momente. Shumë diplomatë besojnë se Çuja do të përpiqet të bindë aleatët e Rusisë të zbusin pjesët e programit që bëjnë thirrje për bashkekzistencën paqësore dhe mbështetjen e të gjitha lëvizjeve për pavarësi, pavarësisht nëse ato janë komuniste apo jo. Megjithatë, vetëm anëtarët e Partisë Komuniste Sovjetike kanë të drejtën e votës, prandaj ekziston dukshëm dyshimi nëse Çuja do të arrijë ti bindë ata. Në cilindo rast, bashkekzistenca paqësore ishte tema kryesore sloganeve të publikuara nga gazeta e komunistëve sovjetikë, “Pravda”. Ndërsa sloganet janë për përvjetorin e 7 nëntorit të Revolucionit Bolshevik, “Pravda” e pa të përshtatshme për ta mbushur faqen e saj të parë me to në prag të kongresit, ndërkohë në faqet në vijim kishte informacione rreth kongresit. “Jetë të gjatë miqësisë dhe bashkëpunimit mes popullit të Britanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe Bashkimit Sovjetik në interes të paqes së qëndrueshme në të gjithë botën”, - shkruante një slogan. Ndërsa një tjetër i drejtohej popullit të Gjermanisë Perëndimore në një kohë kur kriza për Berlinin duket e zymtë në horizont. “Përshëndetje të zjarrta klasës punëtore dhe të gjitha forcave progresiste të Republikës Gjermane që luftojnë kundër militarizmit dhe rilindjes së fashizmit”, - shkruante një tjetër slogan. “Le të forcohet miqësia mes sovjetikëve dhe popullit gjerman”, - vazhdonte më tej një tjetër slogan. Duhet thënë se ky është kongresi i dytë i njëpasnjëshëm që ka sjellë Çu En Lain në Moskë, në vend të Mao Ce Dunit. Në vitin 1956 Maoja e konsideroi veten si pasardhës i Stalinit në fushatën e lëvizjes komuniste. Por Hrushovi e mori vetë këtë titull dhe e shpalli atë zyrtarisht në Kongresin e fundit botëror të Partive në Moskë nëntorin e shkuar. Përçarja ideologjike e partive komuniste sovjetike dhe kineze vazhdon dhe duket se reflektohet dhe në mungesën e Maos dhe ftohje të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Shqipërisë së vogël komuniste, e cila duket se këto ditë udhëzimet kryesore po i merr nga Pekini. Hrushovi ka qartësisht ndërmend të shkatërrojë përpjekjen kineze për të rrëmbyer lidershipin e udhëheqjes komuniste nga duart e tij. Burime të pakonfirmuara thonë se gjatë kongresit delegatët do të diskutojnë jashtë rendit të ditës në një mbledhje të posaçme dhe qëndrimin që do të mbanin ndaj Tiranës. Pritet që Vietnami Verior dhe Koreja e Veriut, të dyja vende që kufizohen me Kinën, të mbajnë një qëndrim proshqiptar ose të paktën të jenë neutrale, ndërsa nuk pritet e njëjti qëndrim nga PK-ja e Mongolisë. Edhe delegati komunist kuban, pritet të jetë në krah të Moskës për këtë çështje.

Asgjë nga Jugosllavia

Deri në këto momente Jugosllavia e Josif Broz Titos nuk ka dërguar asnjë delegacion në Kongres dhe ekziston dyshimi se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur deri në fund. Mes delegatëve të parë që shkelën në tokën ruse, ishte Valter Ulbriht, shefi i Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore. Presidenti i Vietnamit Verior, Ho Shi Min, kryesonte delegacion e vendit të tij. I shkolluar në Moskë, ai drejtoi luftën kundër Francës në Indokinë dhe tashmë është burri më i vjetër komunist i shtetit në Azi. Delegatë të tjerë nga Lindja e Largët janë kryeministri i Koresë së Veriut, Kim Sung II, dhe Umzhagin Tsedenbal, i Mongolisë së Jashtme. Nga delegacionet nga vendet jokomuniste janë prezent shtete të Evropës Perëndimore, Shtetet e Bashkuara, Kuba dhe vende nga pjesë të ndryshme të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Jugore. Kryeqyteti sovjetik flakëronte nga dritat dhe aktivitetet e punëtorëve që nxitonin tu jepnin dorën e fundit punëve të mbetura pezull një ditë përpara çeljes së punimeve të Kongresit. Në sheshin kryesor përpara teatrit “Bolshoi” një statuje gjigante të Karl Marksit po i jepej dora e fundit. Brigadat ushtarake të punës ishin thirrur për të përfunduar tunelet që po ndërtoheshin në kryqëzimet kryesore të rrugëve. Ndërsa gratë po kujdeseshin të lyenin ndërtesat afër Kremlinit. Edhe vendit të takimit, teatrit 6 mijë vendesh të Kremlinit, me ajër të kondicionuar dhe i pajisur me pajisje elektrike komunikimi nga Gjermania Perëndimore iu dha dora e fundit.

Ky lajm është publikuar: 12/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›