E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Përmbytjet në veri, jemi të gjithë përgjegjës

Situata
Ministri i Mjedisit raporton në Kuvend. Ndalohet shfrytëzimi i lumenjve

Ministri i Mjedisit dhe Ujërave, Fatmir Mediu, ka vendosur para përgjegjësisë disa institucione të linjës, të cilat nuk kanë zbatuar si duhet ligjet, udhëzimet dhe rregullat e miratuara nga qeveria në drejtim të mbrojtjes së lumenjve. Duke raportuar në Kuvend rreth situatës së përmbytjeve në veri gjendjen e lumenjve dhe shtretërve, Mediu paraqiti si problematikë kryesore firmat private, të cilat shfrytëzojnë zhavorret, duke mos iu përmbushur si duhet kontratave. “Po analizojmë efektet e shkaktuara nga përmbytjet dhe konstatojmë ndikim negativ në tokat bujqësore të prekura nga uji i kripur, megjithatë situata është nën kontroll”, tha ministri i Mjedisit. Mediu i vuri në dukje kryetarit Jemin Gjana që problematika duhet të analizohet në formë integrale dhe jo e segmentizuar, pasi në të kundërt nuk do t’u jepet zgjidhje problemeve.
“Duhet të arrijmë në frenimin e shfrytëzimit të lumenjve, sidomos në gjendjen që jemi sot, sepse kemi vajtur në tabanët e tyre dhe kemi krijuar probleme shumë të mëdha me ujërat nëntokësore me shpejtësinë e lëvizjes së ujit që shkaktojnë probleme me përmbytjet dhe të erozionit”, u shpreh Mediu. Ministri kërkoi mbështetjen e Task Forcës për të sekuestruar të gjitha mjetet e firmave që punojnë në mënyrë të paligjshme. “Task Forca pranë këshillave të baseneve duhet të veprojë për të bërë pezullimin e aktiviteteve të paligjshme në shtratet e lumenjve”, u shpreh Mediu. Ministri tha se janë me dhjetëra firma private që shfrytëzojnë lumenjtë, shumica në interes të ndërtimit të rrugëve, duke justifikuar qëllimin e shkeljes së rregullores.
Tjetër problem i bërë publik ishte edhe mosvjelja e gjobave ndaj kompanive që prodhojnë inerte në mënyrë të paligjshme jashtë afateve të licencimit. “Gjobat e vendosura nuk kanë titull ekzekutiv, për pasojë nuk japin efekt në frenimin e situatës së krijuar”, tha ministri. Sipas tij, edhe pse ka vendim të qartë që nuk lejohet shfrytëzimi i inerteve nga periudha nëntor-maj, në kundërshtim me këtë vendim, vazhdohet të shfrytëzohen inertet.
Duke u ndalur në bazën ligjore për këtë, Mediu bëri me dije se "lejet dhe autorizimet për shfrytëzimin për inerte të lumenjve, përrenjve dhe liqeneve me apo pa ujë jepen nga autoritetet e ujit, Këshilli i Basenit të Ujit, që kryesohet nga prefekti, ose nga Këshilli Kombëtar i Ujit. Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Jemin Gjana, tha se "mbi shtretërit e lumenjve pothuajse në të gjithë jetëgjatësinë e tyre shkalla e investimeve lë shumë për të dëshiruar dhe kjo mund të thuhet edhe për periudhën para dhe pas viteve ’90, me pak përjashtime me investime të pjesshme, veçanërisht në rastet kur në shtretërit e lumenjve janë krijuar probleme të mëdha dhe shqetësuese".

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›