E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmadinexhad, betimi në gusht. Bie ritmi i protestave

Autoritetet më të larta
shtetërore dhe elektorale
në Iran kanë vendosur të
mos tërhiqen aspak nga vendimi
përfundimtar i zgjedhjeve presidenciale,
madje është vendosur
që Ahmadinexhad të betohet
për mandatin e dytë në gjysmën
e dytë të gushtit. Sipas agjencisë
zyrtare iraniane IRNA gjithçka
do të shkojë sipas parashikimit të
Kushtetutës në një rast të tillë. Ky
lajm ka thelluar edhe më dilemën
për humbjen e kandidatit reformist,
Mir Hossein Mousavi, që vazhdon
të këmbëngulë se rezultati
i zgjedhjeve të 12 qershorit ishte
tërësisht i manipuluar dhe se
ai në vend të Ahmadinexhadit
është fi tuesi i vërtetë i tyre. Pas
vendimit më të fundit zyrtar, atij i
duhet ose të pranojë atë që kanë
vendosur organet më të larta të
vendit, ose të vazhdojë të mbajë
të ndezur frymën e protestave në
vend dhe të gjenerojë sërish daljen
e njerëzve nëpër rrugët e Teheranit
në kërkim të lirisë së votës.
Deklarata e fundit e Ministrisë së
Brendshme të Iranit e konsideron
Ahmadinexhadin fi tues me 2/3 e
votave dhe pavarësisht ndonjë
parregullsie gjithçka ka qenë sipas
normave. Si përfundim, rezultati
i zgjedhjeve nuk do të anulohet.
Ky hap erdhi pas kërcënimit të
forcave të sigurisë vendase, dy
ditë më parë, për ndërmarrjen e
masave të rrepta kundër demonstruesve
e protestuesve në rrugët
e Teheranit. Kërcënimi i bërë
kryesisht nga Garda Kombëtare
sinjalizoi faktin se forcat konservative
do të ndërhynin tashmë pa
paralajmërim për t‘i dhënë fund
krizës politike dhe se regjimi do
të përdorte të gjitha metodat,
edhe ato më të dhunshme për
të vendosur rregullin. Ndërkohë,
të gjitha përfaqësitë diplomatike
dhe ambasadat e vendeve
perëndimore në Teheran kanë
kërkuar respektimin e të drejtave
të protestuesve. Ambasada
italiane u ka ofruar ndihma atyre
dhe ambasada të tjera i kanë bërë
me dije qeverisë që të tregohet
shumë e kujdesshme në veprimet
e saj, pasi vëmendja e gjithë
botës është në Teheran, këto ditë.
Në protestat e këtyre ditëve janë
vrarë të paktën 17 demonstrues,
mes të cilëve edhe një studente
26-vjeçare e shndërruar tashmë
në një simbol të dhunës së
regjimit në fuqi. Për protestuesit
është çelur një gjykatë e posaçme,
ndërkohë që trupat e Gardës janë
në gatishmëri numër një. Lideri
i reformatorëve, Mousavi nuk
është shfaqur në publik ditët e
fundit dhe për sa i përket ditës së
djeshme nuk ka lajme për ndonjë
grumbullim të madh, apo përleshje
mes forcave të policisë edhe
demonstruesve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›