E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkon të shpëtojë të vëllanë, Arbenin, Fatjon Laze merr përsipër drogën

Gjykata e Krimeve të Rënda cakton masat e sigurisë “arrest me burg” për katër të akuzuarit

Deklarimi

Presidenti i klubit sportiv “Elbasani” deklaroi se nuk kishte dijeni për drogën. Avokati aludon për klane që duan të marrin drejtimin e ekipit. Laze: Nuk kam dijeni për heroinën, kam biznese të tjera dhe nuk kisha nevojë të merresha me gjëra të tilla

Fatjon Laze mbron vëllanë e tij, Arbenin, presidentin e klubit sportiv “Elbasani” dhe merr përsipër ngarkesën e drogës, të cilën ia shiti Arben Priftit. “Drogën e bleva në Maqedoni te një kosovar që rrinte aty dhe ia shita Arben Priftit. Kisha blerë një makinë nga Prifti 6 mijë euro dhe nuk kisha para t’ia ktheja, ndaj dhe bleva drogë nga kosovari që t’i ktheja lekët. Vëllai im Arbeni nuk dinte gjë për këto pazare”. Kështu mësohet të ketë deklaruar para gjyqtarit të gatshëm Fatjon Laze, i akuzuar për tre vepra penale, duke marrë përsipër pronësinë, trafikun dhe shitjen e drogës. Por, pavarësisht paraqitjes së fakteve në versionin e tij nga ana e Fatjon Lazes, prokurorët janë shprehur se rrjedha e ngjarjes është e ndryshme nga ajo që deklaron i akuzuari, duke pretenduar se disponojnë prova në përgjime dhe filmime që sasia e heroinës është sjellë nga Maqedonia nga Arben Laze. Ky pretendim është kundërshtuar nga vetë Arben Laze, i cili është shprehur se nuk ka pasur asnjë dijeni për sasinë e drogës, shitjen e saj, ndërkohë që nuk ka mohuar njohjen me dy fierakët, Prifti e Hyzma. “Nuk kam dijeni për drogën. Kam biznese të tjera dhe nuk merrem me këto gjëra”, - mësohet të ketë deklaruar para gjyqtarit Arben Laze, duke preferuar të bëjë të paditurin lidhur me sasinë e heroinës, si dhe duke mohuar të ketë dijeni mbi këtë aktivitet kriminal për të cilin akuzohet. Dy vëllezërit Laze janë pyetur të ndarë nga njëri-tjetri dhe masat e sigurisë u janë caktuar veçmas, duke mos lejuar që të dëgjojnë deklarimet për ngjarjen në seancë. Më pas, gjykata vijoi masat e sigurisë për shtetasit Arben Prifti e Shkëlqim Hyzma, të cilët kanë kërkuar përmes avokatëve të tyre caktimin e masës “arrest shtëpie” kundrejt edhe një garancie pasurore, vlerën e së cilës e linin në çmim të gjykatës. Pasi ka dëgjuar palët në proces, gjyqtari i gatshëm, Luan Hazneziri, i cilësoi arrestimet e dy vëllezërve Laze dhe shtetasit Prifti si të paligjshme dhe jo në kushtet e flagrancës, dhe si të ligjshëm atë të Shkëlqim Hyzmës. Në përfundim, gjyqtari caktoi masën “arrest me burg” për katër të akuzuarit, duke i lënë kohë organit të akuzës për hetime të mëtejshme. Masa e arrestit u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi sipas prokurorëve të çështjes, bëhet fjalë për prova të rëndësishme, siç janë përgjimet telefonike, ambientale dhe ato filmike, të cilat nuk donin të bëheshin publike. Tri ishin akuzat që iu komunikuan të akuzuarve Arben e Fatjon Laze, Arben Prifti e Shkëlqim Hyzma, konkretisht “trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”, “krijimi i grupit të strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale në kuadër të këtij grupi”, si dhe “armëmbajtje pa leje”.

Akuza

Biznesmeni i njohur, Arben Laze, prej tre muajsh ishte nën survejim nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për akuzën e “trafikut të drogës”. Nga survejimi është mësuar se të martën e kësaj jave, Arben Laze është nisur për në Maqedoni, pasi ka marrë një porosi për 1.043 gramë heroinë nga shtetasi Arben Prifti me qëndrim në Fier. Sipas akuzës, Laze ka dhënë konfirmimin, është nisur për në Maqedoni dhe më pas me anë të telefonit ka porositur vëllain e tij Fatjon Laze, për të bërë dorëzimin e lëndës narkotike. Heroina i është dorëzuar shtetasit Shkëlqim Hyzma në Lushnje, por menjëherë është bllokuar nga policia, e cila pasi ka këqyrur telefonin e blerësit të drogës, ka arrestuar edhe porositësin e saj, Arben Prifti. Telefonatat e këtij të fundit kanë nxjerrë në pah implikimin e Fatjon Lazes, e më pas edhe të vetë presidentit të Elbasanit, i cili nga ana tjetër ishte përgjuar teksa fliste për ngarkesën e drogës dhe dorëzimin e saj. Pas zbardhjes së këtyre fakteve, prokuroria menjëherë urdhëroi arrestimin e katër të implikuarve, ndërsa Arben Laze ra në pranga vetëm pak çaste pasi kishte hyrë në Shqipëri nga Qafë-Thana, teksa po kthehej nga Maqedonia. Hetuesit dyshojnë se Laze udhëtoi drejt Maqedonisë për të likuiduar drogën, ndërkohë që fakti i udhëtimit për në këtë shtet u konfirmua edhe nga avokati i tij, Dylgjeri, i cili dha një version të ndryshëm për këtë udhëtim. Droga nisej nga Turqia dhe pasi mbërrinte në Maqedoni, i dorëzohej biznesmenit ose njerëzve të tij në vendin fqinj me Shqipërinë. Prokuroria tha se pasi hynte në Shqipëri, sasia e drogës trafikohej sipas rastit në Itali ose në Greqi.

Avokati

Arbeni i pafajshëm, arrestimi për shkak të disa klaneve që duan të marrin drejtimin e ekipit

Avokati i vëllezërve Laze, Shyqyri Dylgjeri, kërkoi “arrest me burg 15-ditor” për dy klientët e tij, ndërkohë që jashtë sallës së gjyqit deklaroi se Arben Laze nuk ka lidhje me drogën e kapur. Sipas Dylgjerit, droga ishte e Fatjonit, ai e siguroi nga një shtetas kosovar me banim në Maqedoni, ndërkohë që rrëzoi pretendimet e akuzës se droga është sjellë nga ky shtet në Elbasan nga presidenti i ekipit me të njëjtin emër. Sipas tij, droga ishte siguruar nga Fatjoni prej një shtetasi kosovar me banim në Maqedoni. Fatjoni ia shiti heroinën Arben Priftit, pasi i kishte 6 mijë euro borxh, të cilat do t’ia kthente pas shitjes së drogës. Ndërkohë që Fatjoni është shprehur se vëllai i tij nuk dinte gjë, arrestimin e tij, avokati Dylgjeri e konsideroi si të inspiruar nga disa klane të caktuara. “Janë klane të caktuara që duan të marrin drejtimin e ekipit të Elbasanit, që u ka interesuar të implikojnë Arben Lazen në trafikun e drogës. Deklaroj që këto gjëra shumë shpejt do të zbardhen dhe do sqarohet pozicioni i klientit tim, i cili nuk kishte përse të merrej me drogë kur kishte biznese me fitim, siç është sipërmarrja e ndërtimit të pallateve”, - përfundoi për mediat Dylgjeri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›