E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkoheshin prej javësh, kapen në kufi dy të rinj

Dy të rinj të shpallur në kërkim kanë rënë në prangat e policisë. Njëri akuzohej për grabitje me armë, ndërsa ndaj tjetrit rëndon akuza e vrasjes. Kështu, burime zyrtare nga policia e Kukësit bëjnë të ditur se paraditen e djeshme është bërë e mundur kapja e autorit të dytë të tentativës së grabitjes së familjes kosovare, në qafën e Morinit, ku mbeti e plagosur një 28-vjeçare nga Prishtina. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se Elez Beluli, 24 vjeç nga Kukësi, kërkohej për ngjarjen e ndodhur në mëngjesin e datës 7 qershor, kur persona me armë, në tentativë për të grabitur makinën e disa udhëtarëve nga Kosova, plagosën një grua 28 vjeçe, nënë e dy fëmijëve. Pas kapjes nga ana e policisë së një adoleshenti 15-vjeçar, si një nga autorët e ngjarjes, Beluli qe shpallur nga policia si person në kërkim dhe vetëm dje është vënë në pranga. Madje, ai është dorëzuar vetë, duke shkuar në prokurori për një sqarim. "Kam kërkuar të di pse jam shpallur në kërkim, pasi natën e ngjarjes me kosovarët unë nuk kam qenë në shtëpi, madje as në Kukës", mësohet të ketë thënë 24-vjeçari para grupit hetimor të ngritur për ngjarjen në fjalë. Burime të brendshme të policisë kanë thënë për "Shqip" se i riu ka paraqitur alibi për ditën e ngjarjes, e cila mbetet për t‘u vërtetuar. Pas ngjarjes së ndodhur me kosovarët në vendin e quajtur Ura e Uzinës, vetëm pak orë më pas policia gjatë një kontrolli në banesën e Belulit në periferi të Kukësit kishte gjetur një automatik të fshehur në një mullar. Ndërkohë, po dje, policia kufitare ka arrestuar në mesditë, në pikën kufitare të Qafëbotës, një person të shpallur në kërkim për veprën penale të vrasjes. Ngjarja ka ndodhur ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor, në qytetin e Durrësit, dhe ka për autor 20-vjeçarin Nertil Oshafi nga Berati. Gjithçka ndodhi rreth orës 07:45 të së dielës së fundit të qershorit, për motive banale. Ngjarja ndodhi në sheshin "Pranvera", afër filialit të "Albtelekomit", në vendqëndrimin e furgonave që lëvizin në linjat ndërurbane. Viktima, 35-vjeçari Dritan Neza, me punë shofer furgoni, është grindur me Oshafin për rivalitet për pasagjerët. Një manovër e gabuar në timon e Nezës, që për pak ka zënë këmbën e 20-vjeçarit, ka shkaktuar sherrin dhe më pas vrasjen e tij. Në gjaknxehtësi e sipër beratasi e ka qëlluar disa herë me thikë 35-vjeçarin në pjesën e kraharorit. Si pasojë e plagëve të marra, Neza ka gjetur vdekjen në spitalin rajonal të Durrësit disa minuta pas ngjarjes. Autori u shpall në kërkim dhe kapja e tij është bërë nga policia kufitare, teksa ai tentonte të ikte për në Greqi. Tashmë ai do të gjykohet për veprën penale të "vrasjes".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›