Babai qëllon me armë të birin, se nuk iu bind urdhrave
Nuk u bindet urdhrave të tij, qëllon me armë mbi të birin. Ngjarja ka për protagonist një bari nga fshati Nivicë i Komunës së Kurveleshit në Rrethin e Tepelenës. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në stanin ku mbarështohet kopeja me dhen e familjes Zana, përfund malit të Këndrevicës, shumë pranë fshatit Nivicë. Bashkëfshatarët kanë dërguar djalin e plagosur për në spitalin e Tepelenës dhe kanë njoftuar me telefon në sallën operative të Komisariatit të Policisë së Tepelenës. Burime zyrtare nga policia e Drejtorisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se 54-vjeçari Deno Zana ka plagosur me armë zjarri djalin e tij 26-vjeçar, Dritanin. Mësohet se pas një konflikti për motive të dobëta, në gjaknxehtësi e sipër 56-vjeçari Zana ka tentuar të vrasë me armë zjarri të birin, me të cilin mbarështonin një tufë bagëtish. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se djali është plagosur në këmbën e djathtë. Djali është transportuar fillimisht për në spitalin e Tepelenës dhe më pasi është transportuar për mjekim e asistencë speciale në spitalin rajonal të Gjirokastrës. Burime spitalore thanë se plumbi i babait e ka goditur djalin në pjesën e legenin, në anën e djathtë, dhe aktualisht i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas kësaj ngjarjeje, autori i plagosjes është larguar, por pas disa orësh kërkimi është bërë e mundur kapja e tij në një pyll afër fshatit Nivicë. Policia ka sekuestruar edhe armën me të cilën ai kreu plagosjen, që është një pushkë automatike model 56, të cilën autori e kishte fshehur në afërsi të stanit.