E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmetaj: Prioriteti i PS-së, zhvillimi i zonave rurale

Partia Socialiste do të ketë prioritet të qeverisjes së saj zhvillimin rural. Ky është premtimi i bërë nga kandidati për deputet Arben Ahmetaj. Ai i ka vlerësuar të pranishmit, duke u thënë se ata janë shumë punëtorë dhe se meritojnë më tepër dinjitet e vëmendje nga ana e shtetit. Ahmetaj u bëri me dije të pranishmëve se me fitimin në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Partia Socialiste do t‘i kushtojë një vëmendje të veçantë zonave rurale dhe se në programin e saj e ka të detajuar mirë se si do ta arrijë zhvillimin e vazhdueshëm nëpër fshatra. Kjo, tha Ahmetaj, do të bëhet e mundur përmes një politike nxitëse e stimuluese për bujqit, si dhe infrastrukturës së nevojshme për nxjerrjen e produkteve të tyre në treg apo dhe mbrojtjes nga konkurrenca e pandershme: "Ju keni një mision të rëndësishëm, si të gjithë shqiptarët. Ju keni misionin e ndryshimit. Ndryshimi që do të sjellim së bashku, do të vlerësojë punën tuaj. Ndryshimi do të sjellë vlerësimin e njeriut thjesht, që punon përditë për familjen, për veten dhe fëmijët e vet. Misioni ynë është të ndryshojmë një qeveri, e cila ju ka kthyer kurrizin, një qeveri e cila prodhoi Gërdecin, prodhoi korrupsionin në të gjithë Shqipërinë, prodhoi indiferencën ndaj njerëzve si ju dhe si ne", insistoi Ahmetaj. Fushata elektorale në Qarkun e Korçës kryesohet nga anëtari i kryesisë Ben Blushi, që ndiqet nga Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Alfred Dalipi, Olta Xhaçka, Arben Ahmetaj etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›